Rëndohet bilanci i atentatit në Shkodër, ndërron jetë edhe truproja e anëtarit të grupit të Bajrit (EMRI)
Rëndohet bilanci i atentatit në Shkodër. Një prej personave që mbeti i plagosur, Geridon Kraja, mësohet se ka ndërruar jetë. Burime bëjnë me dije se personi që ndërroi jetë është truproja e anëtarit të grupit të Bajrit, Erogen Vasos (Brajoviç). Ky i fundit dyshohet se ishte shënjestra e atentatit.
Armando Pali, ish-punonjës i IKMT-së mbeti i vrarë nga atentati me breshëri plumbash në qendër të Shkodrës, pranë një lokali pranë bashkisë. Ai ishte duke pirë kafe me anëtarin e grupit të Bajrit, Erogen Vaso (Brajoviç) kur autorët janë afruar dhe kanë qëlluar me breshëri ndaj tyre.
Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u ekstradua në korrik nga Dubai me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër për llogari të Ervis Martinajt. Përveç të vëllait, edhe emri i Erogenit ka dalë si i përfshirë në vepra kriminale.
Në vitin 2023, u përmend në një dosje të SPAK si pjesë e grupit të Bajrave. Në atë kohë u lëshuan 14 masa sigurimi për akuzat vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal, sigurim kushtesh për vrasje, korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.