Lufta e mundshme me Rusinë brenda katër vitesh? Zbulohet plani urgjent i Gjermanisë për ndërtimin e bunkerëve
Gjermania po harton një plan të shpejtë për zgjerimin e rrjetit të saj të bunkerëve dhe strehimoreve të papërshkueshme nga bombat, për t’u përgatitur ndaj mundësisë së një sulmi të mundshëm nga Rusia brenda katër viteve të ardhshme.
Kreu i Zyrës Federale të Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës në Fatkeqësi (BBK), Ralph Tiesler, ka deklaruar se vendi duhet të veprojë menjëherë për të krijuar një sistem mbrojtës funksional dhe gjithëpërfshirës. Aktualisht, vetëm rreth 580 nga 2,000 bunkerët e mbetur nga Lufta e Ftohtë janë në gjendje pune, duke ofruar hapësirë për rreth 480,000 njerëz, ose më pak se 0.6% të popullsisë gjermane.
Për të adresuar këtë mungesë, BBK po punon për një plan që përfshin shndërrimin e infrastrukturës ekzistuese, si tunelet, stacionet e metrosë, garazhet nëntokësore dhe bodrumet e ndërtesave publike, në strehimore për rreth 1 milion njerëz. Ky plan pritet të paraqitet gjatë verës së këtij viti. Përveç kësaj, po zhvillohet një aplikacion mobil që do t’u mundësojë qytetarëve të gjejnë strehim të sigurt në rast emergjence.