Mbrojtja Civile bën bilancin e zjarreve të fundit: 9 vatra në 5 bashki, janë djegur dy shtëpi

Aktualitet

Mbrojtja Civile bën bilancin e zjarreve të fundit: 9 vatra në 5

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile raporton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 9 vatra zjarri në pesë bashki: Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Berat dhe të gjitha vatrat janë neutralizuar me sukses, pa shkaktuar dëme në njerëz, banesa apo gjënë e gjallë.

Në 6 raste, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe barishte, duke shkaktuar djegien e rreth 0.5 hektarëve.

Ndërkohë, në 2 raste të tjera, zjarri ka rënë në banesa: një në lagjen nr. 5 të Bashkisë Kavajë dhe një në fshatin Ishull Shëngjin, ku janë shkaktuar dëme materiale. Në rastin e Ishull Shëngjinit, për shkak të një rrjedhjeje gazi, është lënduar një grua, e cila u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës.

Në një rast tjetër, një automjet privat është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile thotë se në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 9 forca operacionale dhe 64 automjete zjarrfikëse.

Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje shiu, ndaj dhe rrezikut nga zjarret, pritet “I LARTË” në qarqet: Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera parashikohet nivel rreziku “I MODERUAR”.

I gjithë mekanizmi i Mbrojtjes Civile, si në nivel vendor ashtu edhe qendror, mbetet i angazhuar dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës. Qytetarët apelohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta dhe të raportojnë çdo rast pranë në kohë reale.

 

 

ME TE LEXUARAT