"Shi" kartmonedhash në Detroit, shoferët braktisin makinat, bllokojnë trafikun për të mbledhur paratë

Soft

"Shi" kartmonedhash në Detroit, shoferët braktisin makinat,

Një skenë e pazakontë surprizoi kalimtarët në anën lindore të Detroitit të premten, kur kartëmonedha filluan të bien nga qielli mbi Gratiot Avenue, duke shkaktuar kaos të përkohshëm në trafik dhe reagime të shumta nga qytetarët.

Ky “shi i parave”, që për shumë dukej si një ngjarje e pabesueshme, ishte në fakt një homazh i veçantë për Darrell Thomas, i njohur në komunitet si “Plant” – një pronar lavazhi makinash dhe figurë e dashur e lagjes, i cili humbi jetën së fundmi si pasojë e sëmundjes së Alzheimerit.

Ngjarja u organizua nga djali i tij, “Smoke”, në përmbushje të dëshirës së fundit të babait, i cili kishte kërkuar që pas vdekjes të bënte edhe një dhuratë të fundit për komunitetin që aq shumë e deshi.

“Detroit, mund të mos e dini kush ishte babai im, por ai ishte një njeri i madh,” tha Smoke gjatë homazhit. “Ai ishte një legjendë në komunitetin e tij, ai i bekoi të gjithë dhe kjo ishte dhurata e tij e fundit. Asgjë më shumë.”

Darrell Thomas ishte i njohur jo vetëm për dashurinë ndaj familjes dhe fqinjëve, por edhe si një koleksionist pasionant i makinave klasike, i cili për vite me radhë kontribuoi për mirëqenien e lagjes së tij.

Për shkak të situatës së krijuar, ku shumë qytetarë braktisën makinat për të mbledhur kartëmonedhat, policia detyroi bllokimin e përkohshëm të trafikut në Gratiot Avenue për rreth 30 minuta.

Ngjarja mbetet një nga ato momente të rralla që përçon bujari, dashuri dhe kujtim të përjetshëm, në stilin më të veçantë të një njeriu që e jetoi jetën për të tjerët.

ME TE LEXUARAT