Përfundon takimi mes krerëve të partive politike në Kosovë, nuk ka rezultat për Qeverinë
Takimi i thirrur nga kryeministri në detyrë dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, me krerët e partive politike, përfundoi pa ndonjë marrëveshje për tejkalimin e krizës institucionale.
Deklaratat pas takimit dëshmuan se dalja nga ngërçi politikë duket ende e largët edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se ka ofruar dy opsione kompromisi në takimin e sotëm.
“Unë kam ofruar dy opsione kompromisi në emër të Lëvizjes Vetëvendosje. Kompromisi ynë i parë ishte ai që ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të Kuvendit, që tha se në rast të votimit të fshehtë nëse nuk i merr 61 vota, ajo tërhiqet nga kandidatura. Këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj si qëndrim të saj personal. Ajo nuk dëshiron që të votohet dy herë me votim të fshehtë. Me votim të fshehtë për Albulena Haxhiun do të votohet vetëm një herë”, tha Kurti.
“Kompromisi i dytë që ua shpreha si opsion ishte që: le ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshje në paketë për kryetarin e nënkryetarët e pastaj nëse nuk e duan kurrqysh votimin e fshehtë, le t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komisionin për votim të fshehtë të cilin mund ta rrëzojnë me votë, sepse procesi ka mbetur në gjysmë”, tha tutje Kurti, duke shtuar se të dyja këto kompromise u refuzuan nga liderët e partive që deri tash ishin në opozitë.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se vetë mbajtja e takimeve është pozitive, por se sipas tij “më pozitive do të ishte nëse Kurti do ta kuptonte që përgjegjësia e tij është më e madhe se e të gjithëve, dhe se vetëm atij dhe grupit më të madh parlamentar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë detyrim për të gjetur konsensus ose kompromis”.
“Nuk na ka kërkuar neve as konsensusin as kompromisin, por atij”, tha ai.
Edhe Krasniqi ka thënë se beson se presidentja e vendit ka hapësirë dhe mund të luajë rol edhe në fazën e ardhshme për daljen nga ngërçi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se “takimi ishte më tepër farsë publike se sa substancial”, pasi sipas tij qëndrimet e Kurtit ishin pak a shumë të njëjta.
Sipas kryetarit të LDK-së, VV-ja po insiston në procedura jokushtetuese, siç është votimi i fshehtë.
Ai ka thënë se pas afatit 30 ditësh të Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit, vendi do të futet në një gjendje të paqartë historike.
“Pas 30 ditësh do të duhej interpretim i ri. Në këtë fazë, LDK-ja shpreson në përfshirjen e presidentes”, tha Abdixhiku.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar asnjë ofertë të partive parlamentare që ishin deri tash në opozitë, për dalje nga ngërçi në Kuvend.
“Erdhëm me shpresë në këtë takim, por po shohim që nuk ka shpresë, nuk ka konsensus. Partia në pushtet nuk e ka pranuar asnjë ofertë që e kemi ofruar. Është e çuditshme se aty ku ju konvenon që me një aktgjykim të vitit 2014 që i jepet e drejta partisë së parë për ta zgjedhur kryeparlamentarin, po e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për atë kandidat”, tha Kadrijaj.
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se takimi i liderëve partiakë më shumë ka qenë rreth këndvështrimeve për aktgjykimin sesa për zgjidhjen e situatës.
Ai edhe një herë ka përsëritur se daljen nga kriza e sheh me marrëveshje politike.
“Më shumë është folur rreth qasjeve dhe këndvështrimeve të secilit se si e shohin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese se sa për atë që besoj unë është tema kryesore - kriza sikur këto zgjidhen me marrëveshje politike. Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka dhënë këtë udhëzim”, tha Limaj.
Bashëkryetari i Listës Guxo, Faton Peci, tha se në takim pati diskutime konstruktive nga disa akterë dhe u shpreh optimist se në javët në vazhdim do të ketë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.
“Duhet të vazhdojmë me tentativa të radhës në mënyrë që në javët e vazhdim të kemi Kuvend të konstituar. Ka pasur diskutime pozitive nga disa akterë. Nga natyra jam optimist se do të gjendet një zgjidhje”, tha Peci.