Klodian Skënderaj zgjidhet kryetar i Dhomës së Avokatisë së Tiranës

Dhoma e Avokatisë së Tiranës ka përmbyllur procesin e votimit dhe numërimit të votave, duke përcaktuar drejtimin e ri të institucionit, ku fitues u shpall Klodjan Skënderaj.
Sipas rezultateve zyrtare, në zgjedhje morën pjesë 774 avokatë nga gjithsej 1910 anëtarë të Dhomës së Avokatisë Tiranë.
Klodjan Skënderaj siguroi 569 vota, duke dalë fitues i garës dhe duke marrë drejtimin e ri të Dhomës.
Skënderaj është një figurë e njohur në fushën e jurisprudencës dhe të së drejtës penale. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Gjenovës në Itali në vitin 2005 me rezultate maksimale 110/110 dhe prej rreth 15 vitesh ushtron profesionin e avokatit.
Në vitin 2014 ka përfunduar doktoraturën në procedurë penale, ndërsa nga viti 2016 mban titullin “Profesor i Asociuar”. Prej vitit 2008 ai është pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku ligjëron lëndët “Procedurë Penale” dhe “Ekzekutimi i Vendimeve Penale”.
Ai është autor i monografisë “Ekzekutimi i Vendimeve Penale”, si dhe ka kontribuar si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës gjatë viteve 2018–2021. Gjithashtu ka marrë pjesë në projekte të ndryshme ligjore dhe është autor i një sërë punimesh shkencore të prezantuara në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2020 deri në vitin 2024, Skënderaj ka qenë anëtar i Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës dhe ka përfaqësuar çështje të rëndësishme në fushën e avokatisë dhe drejtësisë.


