Safet Bajri, Laert Haxhiu, Redian Rraja… ‘41-bis’ rikthehet me masa ekstreme! Gati lista me 27 të dënuar të rrezikshëm

Aktualitet

Safet Bajri, Laert Haxhiu, Redian Rraja… ‘41-bis’ rikthehet
Pas rikthimit të regjimit të posaçëm “41-bis” në sistemin e burgjeve shqiptare, burime jozyrtare bëjnë me dije se është hartuar një listë me rreth 27 të dënuar dhe persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët pritet t’i nënshtrohen këtij regjimi të ashpër sigurie.

Në listën paraprake, sipas informacioneve që qarkullojnë në qarqet e sigurisë, përfshihen emra të njohur të botës së krimit në Shqipëri, mes tyre Lulzim Berisha, Indrit Shaqja, Laert Haxhiu, Redian Rraja, Safet Bajri, Gjergj Cukali, Leonard Duka, Plarent Dervishaj, si edhe persona të tjerë të dënuar apo të hetuar për vepra të rënda penale. Po ashtu përmenden edhe individë të tjerë që dyshohet se kanë pasur komunikime të paligjshme nga ambientet e burgjeve ose janë përfshirë në incidente brenda sistemit penitenciar.

Sipas burimeve, përfshirja e disa prej tyre në regjimin “41-bis” lidhet me dyshime për vijimin e aktivitetit kriminal nga burgu, përdorimin e pajisjeve të ndaluara si telefonat celularë, si dhe komunikime të paautorizuara me rrjete jashtë institucionit. Në disa raste specifike përmenden edhe incidente të raportuara më herët, si gjetje e sendeve të ndaluara apo përplasje brenda ambienteve të vuajtjes së dënimit.

Regjimi “41-bis”, i njohur si një nga format më të rrepta të izolimit penitenciar dhe i frymëzuar nga modeli italian antimafia, parashikon kontroll të shtuar, monitorim të vazhdueshëm dhe kufizim ekstrem të kontakteve të të burgosurve me jashtë, me qëllim ndërprerjen e lidhjeve me grupet kriminale.

Pak ditë më parë, në këtë regjim u përfshi edhe Sabah Nuzi, i akuzuar për një vrasje të rëndë, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për zgjerimin e mëtejshëm të listës në kuadër të masave të ashpra ndaj krimit të organizuar.

 

 

 

 

 

 

 

ME TE LEXUARAT