Mori 2.5 mln lekë ryshfet, GJKKO dënon ish-kreun e IMT Elbasan, Andri Mehja!
Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, ish-kryeinspektorin e INUV-it pranë bashkisë së Elbasanit, Andri Mehja.
Ai është dënuar me 3 vite burgim, ku nga gjykimi i shkurtuar i është ulur dënimi në 2 vite burgim, por sërish edhe ky dënim i është konvertuar në 4 vite shërbim prove.
Gjithashtu, Andri Mehja i është dhënë dhe dënimi plotësues me heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Njoftimi i plotë:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale, që i përket procedimit penal nr. 94, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Andri Mehja dhe Gentian Bako, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Rudina Palloj, me vendimin Nr. 32, datë 25.04.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Andri Mehja, për kryerjen e veprës penale të
“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në
bashkëpunim të parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal, dhw dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
2. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 2 (dy) vite burgim.
3. Në aplikim të neneve 30/1, 35, të Kodit Penal, dhënien e një dënimi plotësues, heqjen e së drejtës për të pandehurin Andri Mehja, për të ushtruar funksione publike, për 5 (pesë) vjet.
4. Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të mëtejshëm të vendimit me burgim për të pandehurin Andri Mehja, duke u detyruar që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës Elbasan. Vënia në provë e të pandehurit për një periudhë kohe prej 4 (katër).vitesh, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.