Ndëshkohen “pronarët” e rrugës në “Ali Dem”! Babë e bir e zinin hapësirën me blloqe betoni, nuk lejonin banorët të parkonin automjetet
Ditën e sotme është bërë i mundur çlirimi i një zone në “Ali Dem”, të cilën një familje prej kohësh e kishte “zaptuar” duke e zënë me blloqe betoni.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e shtetit bën me dije se është bërë iu mundur lirimi i kësaj hapësire në rrugën “Ali Demi” e cila ishte zënë nga familjarët e një 67-vjeçari, i prangosur një javë më parë për këtë ngjarje.
67-vjeçari dhe familjarët e tij e zinin vazhdimisht hapësirën, me blloqe betoni dhe me automjete, si dhe konfliktoheshin me banorët e zonës që ata të mos parkonin automjetet.
Për këtë rast, më datë 07.07.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, kanë vënë në pranga shtetasin B. D., 67 vjeç, ndërsa sot nisi procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin E. D., 25 vjeç.
Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me pronësinë mbi këtë hapësirë publike, të cilën me vetëgjyqësi e zinin vazhdimisht, me objekte të ndryshme.