“O Muçi, t’u bëftë Bardha kurban”, Inspektori i kërkoi shitëses etiketë për rigonin, Tatimet: Ambulantët s`janë të detyruar për faturë
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ardhur me një reagim sqarues sa i përket aksionit të ndërmarrë që prej së hënës për sekuestrimin e produkteve bujqësore e blegtorale që shitet pa faturë.
Përmes një njoftimi zyrtar Tatimet bëjnë me dije se tregtarët ambulantë nuk kanë asnjë detyrim për të lëshuar faturë dhe për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat.
Sipas asaj që ligji shqiptar e thotë qartë, këta tregtarë duhet të jetë mbi moshën 16-vjeç të jenë të regjistruar si ambulantë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tarifën për zënien e hapësirës publike si dhe taksat bashkiake të aplikueshme.
“Administrata Tatimore informon opinionin publik dhe individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.
Ky përjashtim parashikohet në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, konkretisht në nenin 5, pika 1, gërma c). Gjithashtu, ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 5, pika 1, gërma j), përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Tatimeve.
Ky njoftim ka ardhur pasi një ditë më parë inspektorët “zbarkuan” në tregun e fruta-perimeve në Sarandë. Ku një prej tyre debatoi me një prej shitëseve të cilës i kërkoi që të vendoste etiketën se cili është prodhuesi i rigonit, produkt të cilin ajo e kishte mbledhur në mal.
“Po tu bëftë Bardha kurban o Muçi, disa gjëra janë të natyrës. Ato dihen tani”, ja ktheu shitësja inspektorit i cili po vijonte të insistonte se nuk “funksionon kështu”.