Padia për emërimin e Prokurorit që e hetoi, Veliaj kërkon monitorim ndërkombëtar të procesit në Gjykatën Administrative

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u ka kërkuar faktorit ndërkombëtar që të monitorojnë seancën në Gjykatën Administrative për padinë e tij ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado që ka hetuar çështjen në ngarkim të tij.
Studiot ligjore, Kasowitz dhe Mishcon de Reya i janë dërguar me një letër zyrtare nga Veliaj përfaqësuesve të ambasadave të huaja dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri, duke kërkuar që të monitorojnë seancën kyçe të 8 majit 2026 para Gjykatës Administrative dhe duke kërkuar që procedura të transmetohet drejtpërdrejt.
Gjykata do të shqyrtojë nëse Prokurori Dado është emëruar në mënyrë të paligjshme, siç pretendon Veliaj. Sipas Veliajt, Dado nuk ka plotësuar kërkesat e detyrueshme të kualifikimit, konkretisht përfundimin e Shkollës së Magjistraturës ose marrjen e një përjashtimi të ligjshëm, duke e bërë emërimin dhe veprimet e tij si prokuror të pavlefshme që nga fillimi.
Veliaj paralajmëron se çështja mund të hidhet poshtë për arsye procedurale të “legjitimimit” pa u shqyrtuar meritat, potencialisht në një mjedis të mbyllur të mbrojtur nga vëmendja publike dhe ndërkombëtare.
“Kontestimi im ligjor nuk ka të bëjë vetëm me mua apo z. Dado. Është një përpjekje për të siguruar që republika jonë të ndjekë ligjin që rregullon emërimin e prokurorëve, dhe për të korrigjuar çdo gabim në procesin e vetting-ut që rezulton në emërimin e kandidatëve të pakualifikuar,” shkroi Kryetari Veliaj.
Letra detajon më tej pasojat e emërimit të një prokurori të pakualifikuar si Dado, duke përfshirë paraburgimin e pacaktuar, aksesin e kufizuar te avokati dhe provat, dhe masat hetimore tepër të zgjeruara që prekin familjen dhe jetën personale të Kryetarit Veliaj.
Dan Fetterman, partner në Kasowitz, shtoi:
“Kjo është një çështje themelore e sundimit të ligjit. Nëse një prokuror nuk ka kualifikimet ligjore për të mbajtur detyrën, çdo veprim i ndërmarrë nën atë autoritet është në thelb i dyshimtë. Transparenca në këtë procedurë është thelbësore jo vetëm për të drejtat e Kryetarit Veliaj, por edhe për besimin e publikut në institucionet gjyqësore të Shqipërisë.”
Padia e Veliajt
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj depozitoi më 23 janar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008.
Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.
“Presidenti i Republikës ka lëshuar një dekret në kundërshtim të hapur me dispozitat urdhëruese procedurale të ligjit nr. 8737, duke realizuar një emërim pa bazë ligjore dhe në mungesë të kompetencës materiale ratione personae për të emëruar një subjekt që nuk përmbushte kriteret e ligjit. Ky fakt përbën një shkelje flagrante të rendit juridik dhe një rast tipik të pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ, në kuptim të nenit 108 të Kodit të Procedurave Administrative, pasi: (i) akti është nxjerrë në kundërshtim flagrant me normat urdhëruese të ligjit; (ii) personi i emëruar nuk plotësonte kushtet e përgjithshme dhe të posaçme ligjore; dhe (iii) organi publik ka ushtruar kompetencën e tij për emërim në shkelje të kushteve procedurale të vlefshmërisë së aktit, duke e bërë dekretin juridikisht të paefektshëm dhe nul abinitio”, thuhet në kërkesë padi.


