“PD s’mund të jetë pronë private!”, U la jashtë garës për kryetar të partisë, Salianji: Akt i padëgjuar!

Ervin Salianji ka reaguar ashpër pasi, sipas tij, iu refuzua pranimi i dokumenteve të kandidimit për kryetar të Partisë Demokratike, duke e cilësuar këtë si një akt të paprecedentë në historinë politike të vendit.
Në një deklaratë publike, Salianji u shpreh se vendimi nuk është thjesht procedural, por dëshmi e qartë se Partia Demokratike po trajtohet si pronë personale dhe jo si një aset publik i ndërtuar me sakrificën e mijëra demokratëve.
Ai theksoi se ndalimi i garës nuk mbron partinë, por interesat e një grupi të ngushtë që, sipas tij, ka frikë nga vota, drejtësia dhe e kaluara.
Salianji shtoi se nuk ka kërkuar privilegje apo emërim, por vetëm një garë të hapur dhe votë nga anëtarësia, duke nënvizuar se vetëm përmes demokracisë Partia Demokratike mund të rikthehet fituese.
Sipas tij, refuzimi nuk është personal ndaj tij, por ndaj çdo demokrati që beson në një parti të hapur, konkurruese dhe fituese. Në fund, ai theksoi se beteja e tij është për parime dhe nuk përfundon me këtë vendim.
Postimi i plotë:
Partia Demokratike është pasuri e shqiptarëve. Ajo nuk mund të jetë pronë private. Sot u konsumua një akt i padëgjuar ndonjëherë në historinë politike: refuzimi i pranimit të dokumenteve të kandidimit për kryetar të Partisë Demokratike.
Ky nuk është thjesht një vendim procedural. Është prova më e qartë se Partia Demokratike po trajtohet si pronë personale dhe jo si një aset publik i ndërtuar me sakrificë nga mijëra demokratë.
Kur ndalohet gara, nuk mbrohet partia por mbrohen interesat e ngushta të një grupi që vetëm ka frikë: ka frikë nga vota, ka frikë nga drejtësia, ka frikë nga e kaluara.
Unë nuk kam kërkuar privilegje. Kam kërkuar garë.
Nuk kam kërkuar emërim.
Kam kërkuar votë. Kjo është demokracia dhe vetëm kështu Partia Demokratike mund te rikthehet fituese!
Ky nuk është refuzim ndaj meje, por është refuzim ndaj çdo demokrati që beson se kjo parti duhet të jetë e hapur, konkurruese dhe fituese. Praktikisht është uzurpim i funksioneve!
Kjo është një betejë për parim, jo për post.
Dhe kjo betejë nuk mbaron sot.
Sepse Partia Demokratike është më e madhe se çdo individ që tenton ta mbajë peng”, shkruan Salianji.


