Epokë e re në diagnostikim/ Saktësia e Inteligjencës Artificiale sfidon mjekët e urgjencës

Bota

Epokë e re në diagnostikim/ Saktësia e Inteligjencës

Një studim i Harvardit ka zbuluar se sistemet e inteligjencës artificiale (IA) kanë tejkaluar mjekët e urgjencës duke diagnostikuar më saktë në momentet kritike jetë a vdekje kur pacientët dërgohen në spital.


Ekspertë të pavarur thanë se rezultatet janë një “hap përpara” në arsyetimin klinik të IA dhe erdhën si pjesë e testeve që krahasuan përgjigjet e qindra mjekëve me një IA.

Autorët thanë se rezultatet, të publikuara në revistën Science, treguan se IA “kanë tejkaluar shumicën e standardeve të arsyetimit klinik”.

Një eksperiment u përqendrua në 76 pacientë që mbërritën në urgjencën e një spitali në Boston. Një IA dhe një dyshe mjekësh morën secili të njëjtin regjistër elektronik shëndetësor për ta lexuar, zakonisht që përfshin të dhëna mbi shenjat jetësore, informacion demografik dhe disa fjali nga një infermiere për arsyen e paraqitjes së pacientit. IA identifikoi diagnozën e saktë ose shumë të afërt në 67% të rasteve, duke tejkaluar mjekët, të cilët ishin të saktë vetëm në 50%-55% të rasteve.

U pa se avantazhi i IA ishte veçanërisht i theksuar në situata urgjente që kërkojnë vendime të shpejta me informacion minimal. Saktësia e diagnozës së IA, modeli i arsyetimit o1 i OpenAI, u rrit në 82% kur kishte më shumë detaje në dispozicion, krahasuar me saktësinë 70-79% të arritur nga ekspertët njerëzorë, megjithëse kjo diferencë nuk ishte domethënëse.

IA gjithashtu tejkaloi një grup më të madh mjekësh kur iu kërkua të jepte plane trajtimi afatgjata, si përcaktimi i antibiotikëve apo planifikimi i proceseve në fund të jetës. IA dhe 46 mjekë u kërkua të shqyrtonin pesë studime klinike dhe kompjuteri hartoi plane më të mira, duke marrë 89% krahasuar me 34% për njerëzit që përdornin burime konvencionale si motorët e kërkimit.

Megjithatë, ky nuk është fundi për mjekët e urgjencës, thanë studiuesit. Studimi testoi njerëzit kundrejt IA vetëm në bazë të të dhënave të pacientëve që mund të komunikohen me tekst. Leximi nga IA i sinjaleve si niveli i shqetësimit të pacientit dhe pamja vizuale nuk u testua. Kjo do të thotë se IA thjesht jep një opinion të dytë bazuar në dokumentacion.

Në një rast, një pacient u paraqit me mpiksje gjaku në mushkëri dhe simptoma drejt përkeqësimit. Mjekët menduan se antikoagulantët nuk po funksiononin, por IA vuri re diçka që ata nuk e panë: sëmundja e lupusit prej së cilës pacienti vuante, mund të shkaktonte inflamacionin në mushkëri. IA doli të ishte e saktë.

Sipas një studimi të publikuar muajin e kaluar, pothuajse një në pesë mjekë në SHBA po përdor tashmë IA si ndihmë në diagnostikim. Në Mbretërinë e Bashkuar, 16% e mjekëve e përdorin teknologjinë çdo ditë dhe 15% të tjerë çdo javë, ku “vendimmarrja klinike” është një nga përdorimet më të zakonshme, sipas një sondazhi të fundit të Royal College of Physicians.

Për studiuesit, IA është “një ndryshim i thellë në teknologji që do të ridimensionojë mjekësinë.”/The Guardian

ME TE LEXUARAT