EMRAT /Vjedhjet e kasafortave në banesa – Hajduti thyen arrestin dhe kapet në flagrancë

Emisioni “Stop” transmetoi mbrëmjen e djeshme, më 15 shtator, denoncimin e një punonjësi policie, i cili tha, se dy gjyqtare kanë vendosur masa të lehta ndaj dy personave të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal, që vjedh kasaforta nëpër banesa.
Një prej episodeve të fundit ndodhi në Tiranë. Agron Goxhaj, 48 vjeç, dhe Andi Hasani, 46 vjeç, u filmuan, duke hyrë në një banesë, që dyshohet, se kishin planifikuar ta grabisnin. Ata u kapën në flagrancë nga policia në momentin, kur u rikthyen për të lënë kasafortën e grabitur.
Pavarësisht provave të sekuestruara, gjyqtarja e Apelit Adelajda Gjuzi, zëvendësoi masën “arrest në burg” me “arrest shtëpie”.
Por, ndërsa ndodheshin në arrest shtëpie, dy të dyshuarit organizuan një tjetër grabitje në Vlorë. Ata u kapën sërish në flagrancë dhe në automjetin e tyre u gjetën mjete të sofistikuara për hapjen e bravave dhe armë.
Edhe në këtë rast, gjyqtarja e Vlorës, Arbana Selmanaj vendosi arrest shtëpie. Aktualisht Agron Goxhaj ndodhet pas hekurave, pasi ka thyer sërish arrestin e shtëpisë, ndërsa Andi Hasani, është në arrest shtëpie, por shihet rëndom, duke e thyer këtë masë.
Menjëherë pas transmetimit tonë policia bëri të mundur arrestimin e Andi Hasanit, për thyerje ta masës së arrestit.


