“Beteja nuk ka mbaruar”/ Djali i Hashim Thaçit: Falenderoj ata që nuk e ndalën zërin pas vendimit

Pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, që dënuan me 81 vite burg në total ish-krerët e UÇK-së, ka reaguar djali i ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, Endrit Thaçi.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Endrit Thaçi shprehet mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kanë qëndruar pranë familjes së tij ndër vite, gjatë procesit gjyqësor ndaj babait të tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Ai paralajmëron se do t’i bashkohet zërit të protestuesve pas kthimit të tij, duke theksuar se beteja ligjore nuk ka përfunduar.
“Sapo të kthehem, do t’i bashkëngjitem edhe unë zërit tuaj, sepse kjo betejë nuk ka mbaruar. Ashtu si Babi sot, që me kokën lart u përball me këtë ditë, edhe ne do të vazhdojmë përpara me kokën lart, me dinjitet dhe maturi”, shprehet Endrit Thaçi.
“Ne e dimë historinë tonë… Këtë histori nuk mund ta ndryshojë asnjë vendim”, përfundon ai.
Kujtojmë se Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.
Reagimi i Endrit Thaçit:
Falënderoj të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare që udhëtuan dhe që pritën me orë të tëra për vendimin. Në veçanti, ata që nuk e ndalën zërin edhe pas vendimit.
Mirënjohja ime shkon për secilin prej jush që na u bëtë krah ndër vite, në këtë rrugëtim të padrejtë të Babit dhe shokëve të tij.
Sapo të kthehem, do t’i bashkëngjitem edhe unë zërit tuaj, sepse kjo betejë nuk ka mbaruar. Ashtu si Babi sot, që me kokën lart u përball me këtë ditë, edhe ne do të vazhdojmë përpara me kokën lart, me dinjitet dhe maturi.
Ne e dimë historinë tonë. Ushtarët tanë e kanë të gdhendur në lëkurë, ndërsa dëshmorët tanë e kanë vulosur me gjakun e tyre. Këtë histori nuk mund ta ndryshojë asnjë vendim.



