Pano Ruci në ditën e 23-të të grevës së urisë përpara Parlamentit grek, shqiptari: Nuk do ndalem derisa.....
Në ditën e 23-të të grevës së urisë përpara Parlamentit grek, në sheshin “Sintagma” të Athinës, shqiptari Pano Ruci, babai i Denis Rucit, 22-vjeçarit që humbi jetën në tragjedinë hekurudhore të Tempes, deklaroi se do të vazhdojë betejën e tij deri sa të marrë garanci të qarta nga qeveria për pranimin e plotë të kërkesave të tij.
“Sot bëhen 23 ditë që jam këtu në Sintagma dhe do të vazhdoj këtë luftë deri sa të marrim një konfirmim nga qeveria se kërkesat tona do të pranohen,” tha ai në një deklaratë të dhënë pasditen e së martës, më 7 tetor.
Ruci shtoi se, pavarësisht lodhjes dhe dhimbjes, do të qëndrojë aty deri në përmbushjen e plotë të kërkesave.
“Nuk kam shumë për të thënë, populli flet vetë. Çdo ditë njerëzit vijnë këtu. Uroj që kjo të mos zgjasë edhe shumë dhe presim përgjigje dhe zhvillime”, tha ai.
Ai kërkoi gjithashtu transparencë të plotë në të gjitha procedurat hetimore. “Të bëhen analizat biokimike, të kemi këshilltarë tanë të pavarur dhe në përgjithësi gjithçka të kryhet siç duhet, me transparencë”, është shprehur ai.
Po ashtu, pritet që në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme, Pano Ruci dhe avokatja e tij, Zoi Konstantopulu, të mbajnë një tjetër deklaratë publike për mediat.
Më herët gjatë ditës, rreth orës 13:00, Konstantopulu deklaroi para gazetarëve se kanë marrë në dorë një dosje voluminoze, të cilën e përshkroi si një hap të rëndësishëm në betejën ligjore të klientit të saj. Ajo theksoi se bëhet fjalë për dosjen penale që ishte lënë pas dore nga Prokuroria dhe hetuesi i Larisës, por që është rikthyer në vëmendje falë presionit të ushtruar nga greva e urisë e Rucit.
“Kjo këtu është dosja penale që është rikthyer në qarkullim pas gjithë kësaj lufte që po bën Panos Ruci. Përmban materiale që autoritetet kishin fshehur, duke pretenduar se nuk duhej të hetoheshin,” deklaroi ajo.
Konstantopulu përshkroi edhe mënyrën se si janë marrë këto dokumente si “sadiste”: “Na u dorëzuan në orën 05:10 të mëngjesit në komisariatin e Larisës”. Ajo akuzoi autoritetet për përpjekje që “të mbajnë në errësirë” Pano Rucin.
Sipas saj, vendimi gjyqësor për kryerjen e analizave të reja përbën një “fitore të madhe”.
“Shpresoj që deri në orën 20:00, ata që luajnë me vonesat dhe që përpiqen të zbehin këtë fitore të madhe të Pano Rucit, që është vendimi për të kryer analizat që autoritetet deri dje refuzonin, të ndalojnë ndërhyrjet dhe të lejojnë të dalë në dritë e vërteta,” përfundoi Konstantopulu.