Pas vendimit të Kushtetueses, Ndreca dorëzon në Gjykatën e Lartë përshpejtimin e gjykimit ndaj kryebashkiakut Veliaj

Aktualitet

Pas vendimit të Kushtetueses, Ndreca dorëzon në Gjykatën e

Ashtu siç njoftoi gjatë një interviste për mediat Plarent Ndreca avokati i Erion Veliajt dorëzoi në Gjykatën e Lartë kërkesën për përshpejtim të gjykimit ndaj kryebashkiakut mbasi Kushtetuesja zbardhi vendimin ku i lë disa detyra kësaj gjykate.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Lartë, mbrojtja argumenton se çdo vonesë në rigjykim ka pasoja të drejtpërdrejta jo vetëm mbi lirinë personale të Veliajt, por edhe mbi ushtrimin e mandatit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Po ashtu, mbrojtja kërkon që Gjykata e Lartë të vlerësojë nëse masa “arrest në burg” vijon të jetë e domosdoshme dhe proporcionale, nëse janë shqyrtuar realisht masat alternative të sigurimit, si dhe nëse mbajtja e Veliajt në kafazin prej xhami gjatë seancave gjyqësore cenon dinjitetin njerëzor, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për një mbrojtje efektive.

Sipas shkresave që disponon gazetarja argumentohet se “Nëse çështja nuk shqyrtohet me përparësi, rigjykimi rrezikon të humbasë efektivitetin e tij praktik. Një vendim i dhënë vonë, kur periudha reale e mandatit është konsumuar në pjesën më të madhe ose tërësisht, nuk do të rivendoste dot në mënyrë efektive të drejtën për të ushtruar funksionin publik, as do të riparonte pasojën institucionale që ka sjellë pamundësimi faktik i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të ushtruar detyrën. Për këtë arsye, elementi kohor në këtë çështje është pjesë e vetë substancës kushtetuese të saj. Liria personale, e drejta për t’u zgjedhur, ushtrimi real i mandatit dhe e drejta e zgjedhësve për t’u qeverisur nga organi që kanë zgjedhur me votë, nuk mund të mbrohen në mënyrë efektive nëse rishqyrtimi vonohet deri në atë pikë sa rezultati i tij të mbetet vetëm deklarativ“.

Në lidhje me kafazin e xhamtë thuhet “E njëjta logjikë vlen edhe për pretendimin lidhur me mbajtjen e z. Veliaj në kabinën/kafazin e xhamit. Edhe ky pretendim nuk kërkon rivlerësim faktesh apo provash në kuptimin e nenit 441, germa dh), të KPP-së. Ai kërkon një vlerësim juridik dhe kushtetues mbi faktin nëse izolimi i një të pandehuri në një kabinë/kafaz xhami, pa identifikim konkret të një rreziku real dhe aktual, pa arsyetim individual dhe pa shqyrtim të masave më pak kufizuese, është i pajtueshëm me dinjitetin njerëzor, dhe prezumimin e pafajësisë. Kjo është çështje standardi, jo çështje prove të re.

Qëndrimi në kafaz xhami nuk mund të trajtohet si çështje infrastrukture gjykate ose si praktikë rutinore organizimi salle. Ai ka një domethënie të drejtpërdrejtë kushtetuese. Vendosja e një personi të prezumuar të pafajshëm në një hapësirë të izoluar, të dukshme për publikun, mediat dhe trupin gjykues, krijon imazhin e rrezikshmërisë dhe fajësisë përpara se fajësia të jetë provuar. Për më tepër, nëse kjo masë pengon ose vështirëson komunikimin konfidencial dhe efektiv me mbrojtjen, ajo nuk cenon vetëm dinjitetin, por edhe vetë cilësinë e pjesëmarrjes së të pandehurit në proces“.

ME TE LEXUARAT