“Qyteti” nën tokë i Durrësit/ Infrastruktura sekrete, që nuk u shfrytëzua kurrë për mbrojtjen civile

Qyteti i Durrësit njihet për pasuritë e shumta të trashëgimisë kulturore mbi dhe nëntokë. Por nën të, fshihet edhe një tjetër histori, projekti sekret i mbrojtjes civile, ndërtuar gjatë diktaturës për skenarë lufte.
Një kompleks strukturash nëntokësore u ngrit pas vitit 1981, me vendkomanda, spital, fabrikë buke, rrobaqepësi, frigorifer ushqimorë dhe ambiente të tjera mbështetëse. E gjithë infrastruktura ishte menduar që qyteti të funksiononte edhe në rast bombardimi.
I diplomuar në Bashkimin Sovjetik për artileri bregdetare, Lutfi Shehu, ish-shef i Mbrojtjes Civile para viteve ’90 në Durrës tregon se financimi u realizua përmes kontributit të detyruar të ndërmarrjeve shtetërore. Gjithçka ishte sekret.
Objektet pothuajse përfunduan në fillim të viteve ’90, por ndryshimi i sistemit bëri që ato të mos viheshin kurrë në funksion. Sot, disa prej hyrjeve në objektet nëntokësore ndodhen brenda oborreve të disa banesave, ose janë të mbuluara nga shkurret.
Një kompleks i tërë betoni nën tokë, i ndërtuar për mbijetesë, dergjet pa mundur të jetë pjesë e destinacioneve turistike, që të rrëfejë, për turistët e huaj e vendas, sekretet e një kohe të mbushur me frikë dhe përgatitje ndaj rreziqeve të hamendësuara të kohës./Tema


