Rritja e çmimit të naftës, Ibrahimaj: Rezervat e naftës zhdoganohen çdo ditë me çmimet e bursës

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj thotë se rritja e çmimit të hidrokarbureve në Shqipëri pas sulmeve amerikano-izraelite në Iran, që solli mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, janë pasojë e kurbave në bursat ndërkombëtare. Në Repolitix, ajo sqaroi teknikisht, se përse rritja e çmimit te naftës preku vendin tonë me një shpejtësi jashtë çdo logjike.
"Në gjykimin tim ka disa javë prej fillimit të luftës, më që ka pasur një mungesë të furnizimit me naftë të rafinuar me nënprodukte të naftës, e cila ka sjellë ndikime në bursat ndërkombëtare. Çmimi i bursave ndërkombëtare është rritur ndjeshëm, është reflektuar ky çmim në vendin tonë.
Ka disa faktorë që e ndikojnë çmimin. Pavarësisht se kompanitë tregtare kanë një rezervë të detyrueshme të cilën duhet ta garantojnë që e kanë në vend, ajo që ndodh është rezerva përdoret në mënyrë ditore dhe zgjat në mënyrë ditore, dhe çmimi i karburantit matet me bursën ditore. Këto çmime janë të publikuara, Dogana bën zhdoganimin e karburantit në bazë të këtij çmimi duke shtuar të gjitha detyrimet e taksave që u ngarkohen karburanteve",- tha Ibrahimaj.
Ministrja shtoi se qeveria mund të rijetëzojë Bordin e Transparencës për kontrollin e çmimit të hidrokarbureve.
"Në 3 javë kompanitë kanë vazhduar të furnizohen nga furnizuesit e tjerë ndërkombëtarë që i kanë rritur çmimet. Kemi ngritur një task-forcë që pikërisht do të bëjë këtë lloj verifikimi, nëse kompanitë e tregtimit kanë pasur rezerva në pikat e tyre dhe nëse kanë tregtuar me çmim abuziv, pa marrë në konsideratë çmimet që kanë reflektuar. Aty ku shihet se ka zbulim do të bëjnë një rivlerësim të të gjithë kontabilitetit të kompanisë dhe do të vënë dhe penalitetet e duhura.
Unë e thashë sot dhe në konferencë për shtyp, ne jemi duke vlerësuar situatën dhe jemi në kushte për të ngritur apo jo bordin e transparencës për karburantet",- tha Ibrahimaj./Shqiptarja


