“Shpejt barkas, policia”, kthyen godinën në kazino dhe 'dyqan' droge, arrestohet përgjegjësi, nën hetim 15 persona, sekuestrohen miliona lekë

Aktualitet

15 persona janë nën hetim, pasi u kapën nga policia duke luajtur lojëra fati në kazino.

Në pranga është vënë përgjegjësi i kazinosë, si dhe u shpall në kërkim organizatori që kishte marrë me qira objektin trekatësh dhe e kishte përshtatur për kazino.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Fishat”, u arrestua në flagrancë shtetasi Bledar Arapi, u shpall në kërkim shtetasi Elger Uka, si dhe u proceduan penalisht 15 shtetas që u kapën në Kazino.

Policia ka publikuar edhe momentin e aksionit të arrestimit, teksa sekuestroi miliona lekë, euro dhe dollarë, kokainë, makineta, tavolinë pokeri, letra bixhozi, etj.

Gjatë kontrollit në një banesë trekatëshe, të marrë me qira nga Elger Uka, 24 vjeç, dhe të përshtatur katet e dyta dhe të treta për ushtrimin e lojërave të fatit dhe përdorim droge, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 15 makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, disa doza kokaine, 725 000 lekë të rinj, si dhe euro e dollarë.

Në vijim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. A., 47 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion të lokaleve për lojëra të paligjshme”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e Elger Ukës, për të njëjtat vepra penale, pasi nga veprimet hetimore rezulton se ky shtetas ka marrë me kontratë qiraje objektin që ishte përshtatur si kazino. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

 

 

ME TE LEXUARAT