Shqipëri-Greqi, dakordohet restaurimi i filmit “Gurët e Shtëpisë sime”

Një hap i rëndësishëm në bashkëpunimin kulturor Shqipëri-Greqi u bë sot gjatë një takimi ndërmjet përfaqësuesve të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit shqiptar dhe Arkivit të Filmit Grek.
Ambasadorja Luela Hajdaraga, së bashku me drejtorin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Eljan Tanini, dhe specialistët Erand Meca dhe Erjon Tusha, zhvilluan një takim me drejtoreshën e Arkivit të Filmit Grek, Maria Amalia Komninou, dhe përfaqësues teknikë të Arkivit Grek të Filmit.

Gjatë takimit u dakordësua restaurimi nga pala greke i filmit shqiptar “Gurët e Shtëpisë sime”, me regji të Dhimitër Anagnostit, si dhe shkëmbimi i ekspertizës, njohurive profesionale dhe materialeve arkivore.
Po ashtu, u planifikua organizimi i aktiviteteve të përbashkëta, përfshirë “Javët e Filmit Shqiptar dhe Grek” dhe “Netët e Premierës së filmit Gurët e Shtëpisë sime”.
Memorandumi i bashkëpunimit pritet të nënshkruhet në vjeshtë.
Takimi u mbyll me një vizitë në ambientet e arkivit, muzeut dhe laboratorit, duke forcuar kështu lidhjet kulturore dhe profesionale midis dy vendeve.


