PS, 4 opsione territoriale/ Reforma, mazhoranca propozon variantet për ristrukturimin e bashkive

TIRANË– Partia Socialiste ka 4 variante për reformën e re territoriale. Varianti i parë, bashkitë e vogla bashkohen me bashkitë e mëdha fqinje. Varianti i dytë, bashki të mëdha në nivelin e ish-rretheve. Edhe ky variant do e ulte numrin e bashkive nga 61 në 36.
Varianti i tretë, ruhen 61 bashkitë, por rolin e ekzekutivit e luan qarku, me zgjedhjen e kryetarit të qarkut në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.
Dhe i katërti, krijimi i 4 rajoneve me konsolidim të bashkive të vogla.
Këto variante u prezantuan për herë të parë në mbledhjen e zgjeruar qeveri-grup parlamentar të shtunën në Pallatin e Brigadave nga bashkëkryetari i komisionit të reformës territoriale, Arbjan Mazniku.
Në një prononcim nga Maliqi, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi deklaroi se këto variante do të hidhen për diskutim në tryezë, por do të dëgjohen edhe propozimet e PD, dhe qëllimi është një reformë sa më konsensuale.
Ai garantoi se variantet e PS synojnë një reformatim të bashkive për t’i bërë sa më funksionale, kjo dhe në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Vetë si kryetar i Kuvendit sqaroi se do të luajë rolin për të krijuar një klimë sa më pozitive për bashkëpunimin e palëve politike. Kurse i pyetur për përçarje brenda PS, Peleshi i hodhi poshtë si thashetheme.


