Siguroi automjetet për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës, DEL FOTO: Ky është Petrit Çakrri, dëshmitari okular në vrasjen e Azem Hajdarit

Aktualitet

Siguroi automjetet për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës, DEL

Personi që shihni në foto është Petrit Çakrri alias Petrit Hoxha, si një ndër personat e dyshuar si i përfshirë në vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra.

Petrit Çakrri është arrestuar paraditen e sotme në Lekbibaj të Tropojës ndërsa në pranga ka rënë dhe Fatjon Bushgjokaj, i cili ishte shpallur në kërkim për ngjarjen në fjalë. Gjithashtu në kërkim për rrëmbimin dhe vrasjen e Dobrës janë dhe dy vëllezërit e Fatjon bushgjokajt, Aleksandër dhe Kristi Bushgjokaj.

Roli i Petrit Çakrrit alias Hoxha në këtë krim, është sigurimi i automjeteve për kryerjen e krimit. Bëhet fjalë për një Range Rover të zi dhe një Hyundai të bardhë. Grupi hetimor ka zbuluar lëvizjet e automjeteve të marra me qira përmes GPS dhe pamjeve filmike të kamerave të sigurisë. Pasi janë përdorur për krimin, mjetet janë dorëzuar dhe janë marrë automjete të tjera me qira, për të humbur gjurmët.

Petrit Çakrri është një person me precedentë të mëparshme kriminale ndërsa ka qenë dhe një prej dëshmitarëve kyç në atentatin e ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari mbrëmjen e 12 Shtatorit 1998.

Gjithashtu Çakrri është arrestuar dhe në vitin 2017 nën dyshimet se kishte mashtruar një biznesmen në Vorë duke   marrë 4.4 milionë lekë të reja duke u prezantuar si tregtar. Çakrri i premtoi biznesmenit se do t'i siguronte mallra me çmim të lirë.

Renis Dobra është marrë peng disa metra larg shtëpisë së tij në fshatin Zenishtë të Burrelit, më pas është torturuar dhe është mbytur me litar. Trupin e 23-vjeçarit e futën në automjetin e të riut dhe e hodhën në liqenin e Shkopetit, me qëllim për të fshehur gjurmët.

“Më 8 Korrik 2025, në orën 22:10, në fshatin Zenisht, Burrel, është marrë peng dhe më pas vrarë me mbytje me litar. Autorët e hodhën automjetin bashkë me trupin me qëllim që të binin në liqen", tha drejtori Duka duke theksuar më tej se trupi nuk ra në liqen, duke bërë të mundur dhe gjetjen e tij....

Shkak për vrasjen e Renis Dobrës, dyshohet të jenë bërë pazaret e drogës. Nga hetimet rezulton se 23-vjeçari punonte më herët në Gjermani për llogari të grupit kriminal të vëllezërve Bushgjokaj, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike.

Renis Dobra në disa raste nuk i ka dorëzuar vëllezërve nga Tropoja shumat e parave të fituara nga shitja e kokainës duke pretenduar se disa herë droga është hedhur në rrugë, ujë apo liqen për arsye se po e ndiqte policia.

Vëllezërit Bushgjokaj kanë menduar se Dobra po i mashtronte dhe po i vidhte të ardhurat e fituara nga aktiviteti kriminal, arsye kjo që i ka bindur ata për ta vrarë.

 

ME TE LEXUARAT