Netanyahu humb shumicën në Parlament pas "luftës" me Iranin
Koalicioni i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu humbi shumicën pasi u largua partia Shas, duke e lënë atë me më pak se 61 anëtarë të Knessetit dhe duke e kthyer në një qeveri pakice.
Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, ka lëshuar një deklaratë të fortë kundër qeverisë aktuale, duke e cilësuar atë si një qeveri pakice që ka humbur legjitimitetin për të marrë vendime madhore për shtetin.
“Shteti i Izraelit, që nga sot, drejtohet nga një qeveri pakice. Një qeveri e tillë nuk ka të drejtë të dërgojë ushtarë në luftë, nuk mund të vendosë se kush jeton dhe kush vdes”, tha ai.
Lapid theksoi se një qeveri e tillë nuk ka autoritet për të marrë vendime strategjike siç janë fati i Gazës apo arritja e marrëveshjeve diplomatike me vende si Siria apo Arabia Saudite.
“Kjo është një qeveri pa të drejtë, pa autoritet, është një qeveri e paligjshme”, shtoi lideri i opozitës, duke bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Koha për zgjedhje ka ardhur. Tani,” përfundoi Lapid.
Deklarata vjen në një kohë tensioni politik të lartë në Izrael, ku qeveria aktuale përballet me kritika të shumta për mënyrën e menaxhimit të krizave të brendshme dhe konflikteve në rajon.
Parlamenti izraelit përbëhet nga 120 deputetë. Ky numër ka mbetur i pandryshuar që nga themelimi i shtetit në vitin 1948.
Knesset është përgjegjës për legjislacionin, miratimin e buxhetit, formimin e qeverisë dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së saj.
Anëtarët e Knessetit zgjidhen çdo katër vjet përmes një sistemi proporcional, ku partive u jepen vende në përpjesëtim me numrin e votave që marrin./tch