SPAK dhe BKH "zbarkojnë" në Elbasan, në ditën e heshtjes zgjedhore!
Strukturat e drejtësisë dhe hetimit vijojnë përpjekjet për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të pandikuar nga elementë kriminalë.
Përfaqësues të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zhvilluar sërish një vizitë pune mëngjesin e kësaj të shtune në qytetin e Elbasanit ku janë takuar me Drejtuesin e Prokurorisë Kreshnik Ajazi dhe Drejtorin e Policisë Vendore Fatmir Hoxha.
Fokusi i takimit kanë qenë shqetësimet dhe denoncimet në rritje që lidhen me zgjedhjet të 11 majit.
Burime pranë takimit konfirmojnë se janë diskutuar masat konkrete që po merren për të parandaluar dhe ndëshkuar çfarëdo përpjekje për manipulim të votës, përfshirë blerjen e votave, presionin ndaj votuesve, dhe përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale.
Përfaqësuesit e SPAK dhe BKH kanë kërkuar angazhim maksimal nga institucionet lokale të drejtësisë dhe rendit, me qëllim rritjen e monitorimit në terren, sidomos në zonat e identifikuara si të ndjeshme. Ata kanë theksuar se çdo kallëzim apo indicie që lidhet me krime zgjedhore do të trajtohet me përparësi dhe në mënyrë të paanshme.
Gjithashtu është theksuar rëndësia e krijimit të një klime besimi për qytetarët që dëshirojnë të raportojnë parregullsi, duke garantuar mbrojtjen e tyre dhe trajtimin konfidencial të informacionit