"Të ekstradohet babai vrasës”/Gjermanisë i kërkohet të marrë në pyetje bashkëshorten e Rayan Alwan!
Prokuroria e Tiranës u ka dërguar autoriteteve të drejtësisë libaneze kërkesën për të ekstraduar 49-vjeçarin Fadi Alwan, i cili akuzohet për vrasjen e të bijës Rayan Alwan, e cila u qëllua për vdekje nga i ati teksa kishin ardhur në Shqipëri si turiste.
Prokurori i çështjes thotë në shkresa se kërkesa për ta ekstraduar nga Bejruti bazohet në marrëveshjen e reciprocitetit.
Kjo kërkesë prokurorit i është përcjellë pak ditë pasi palestinezi Fadi Alwan u arrestua në Liban, dhe prangosja e tij iu njoftua Shqipërisë përmes Interpolit. Ndaj babait vrasës, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit në mungesë për akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare.
Babë e bijë udhëtuan nga gjermania drejt Tiranës dhe morën një shtëpi me qira online, ndërsa u prezantuan si çift. Pesë ditë më vonë krimi u zbulua nga pronarët e hotelit kurse policia e gjeti 24-vjeçaren të masakruar me armë të ftohtë. I dyshuari kishte fshirë çdo gjurmë të vrasjes dhe ishte larguar.
Një kërkesë e dytë është përcjellë përmes letërporosisë drejt Gjermanisë ku prokurori i çështjes kërkon informacione nga të afërm të viktimës mbi problemet dhe konfliktet e mundshme.
Një ndër personat që kërkohet të pyetet është edhe e ëma e 24-vjeçares si dhe të afërm të tjerë. Trupi i Rayan Alwan u tërhoq nga të afërm të saj, thanë burimet e Top Channel, të cilat janë në pritje të drejtësisë së dy vendeve.