Të rinjtë shkaktojnë më shumë aksidente - Ekspertët: Shkak, edukimi i dobët. Duhen rritur gjobat

Aktualitet

Të rinjtë shkaktojnë më shumë aksidente  -

Të rinjtë shkaktojnë më shumë aksidente rrugore në vend. Sipas të dhënave të INSTAT për muajin shkurt, grupmosha 25–34 vjeç paraqet numrin më të lartë të përfshirjes në to, duke zënë plot 27,8 % të totalit të rasteve të regjistruara në këtë periudhë.

Por cilët janë faktorët që ndikojnë në këtë fenomen, që sjell pasoja të mëdha në rrugët e vendit, deri në fatalitete.

“Shkaqet kryesore janë tek edukimi i tyre i dobët, tek mungesa e informacionit. Përdorin lëndë narkotike, është përhapur shumë, pinë alkool dhe këtë sjellje e shfaqin edhe kur drejtojnë automjetin dhe ecin me shpejtësi të tepruar, ka një besim të tepruar, i duket sikur ky fluturon”, tha eksperti i sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha.

Dy janë shkeljet që bëjnë më së shumti të rinjtë që drejtojnë automjete.
“Ecin me shpejtësi tej normave të lejuara. Bëjnë parakalime të gabuara.”, shtoi Hoxha.

Eksperti i sigurisë rrugore thekson nevojën për masa më të forta ndëshkuese.

“Gjobat duhen rritur, veçanërisht kur janë raste të përsëritura. Nëse një person ka 10 gjoba për shpejtësi, ky duhet ndëshkuar rëndë se është i edukuar keq dhe do të sjellë pasoja.”, vijoi më tej ai.

Sipas ekspertëve, të rinjve u mungon edukimi i duhur dhe duhet të ketë më shumë ndërgjegjësim për të respektuar rregullat bazë të qarkullimit.

AKSIDENTET RRUGORE:

-97 aksidente në shkurt
-125 persona të vrarë dhe të plagosur
-Grupmosha 25–34 vjeç e përfshirë në 27,8 % të rasteve

ME TE LEXUARAT