Siguria qytetare/ Policia e Shtetit: Ndryshim në kontrollet rrugore, jo ndalime pa shkak në rrugët nacionale

Aktualitet

Siguria qytetare/ Policia e Shtetit: Ndryshim në kontrollet rrugore, jo

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka zhvilluar takime me efektivët e Policisë Rrugore të Tiranës dhe drejtues të strukturave të rendit në qarqe, ku ka kërkuar ndryshim të mënyrës së veprimit në terren dhe rritje të parametrave të sigurisë rrugore.

Gjatë takimeve, ai theksoi se duhet të shmanget ndalimi i automjeteve në akset rrugore nacionale pa arsye të qartë dhe të përdoren më shumë mjetet teknologjike si radarët, pajisjet matëse të shpejtësisë dhe dronët për kontrollin e trafikut. Sipas tij, masat administrative duhet të përpunohen dhe të hidhen në sistem brenda ditës.

Ai kërkoi gjithashtu kontrolle më rigoroze në qytete për parkimet e gabuara, shkeljet e rregullave të qarkullimit, drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, si dhe për automjetet me modifikime që shkaktojnë zhurmë dhe rrezik në rrugë.

Në fokus të veçantë u vendos edhe sezoni turistik, siguria pranë shkollave dhe koordinimi mes strukturave të ndryshme policore, përfshirë Patrullat e Përgjithshme dhe njësinë “Shqiponjat”.

Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi edhe reagimin e qytetarëve pas komunikimeve të fundit me Policinë Rrugore, duke e konsideruar si një sinjal për përmirësimin e metodave të punës dhe rritjen e transparencës.

Në përfundim, ai theksoi se të gjitha strukturat e rendit dhe Policisë Rrugore duhet të shërbejnë me profesionalizëm, integritet dhe sjellje model ndaj qytetarëve, duke garantuar më shumë siguri në rrugë.

ME TE LEXUARAT