Trump pas zgjatjes së armëpushimit: mundësi për bisedime të reja brenda 72 orëve në Pakistan

Sinjale pozitive po shfaqen për rifillimin e bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, sipas deklaratave të Donald Trump dhe burimeve diplomatike pakistaneze të cituara nga “New York Post”.
Sipas këtyre burimeve, përpjekjet e ndërmjetësimit të zhvilluara përmes kanaleve diplomatike me Teheranin kanë sjellë lëvizje të reja, duke rritur mundësinë që bisedimet të rinisin brenda 36 deri në 72 orëve të ardhshme. Nga ana e tij, Donald Trump është shprehur se një gjë e tillë “është e mundur”, pa dhënë detaje të mëtejshme, por duke lënë të hapur derën për negociata.
Ky zhvillim vjen menjëherë pas vendimit të tij për të zgjatur armëpushimin aktual me Iranin, deri në momentin kur Teherani të paraqesë një propozim të unifikuar, duke kapërcyer ndarjet e brendshme politike.
Në një deklaratë në platformën “Truth Social”, Trump theksoi gjithashtu se forcat amerikane janë urdhëruar të qëndrojnë në gatishmëri, ndërsa armëpushimi do të vazhdojë për sa kohë palët nuk arrijnë një marrëveshje të re.
Ndërkohë, burime nga Pakistani bëjnë me dije se diplomacia e Islamabadit po vijon kontaktet me palën iraniane, duke luajtur rol ndërmjetësues në përpjekjet për uljen e tensioneve. Sipas tyre, fakti që deri tani nuk është regjistruar asnjë përshkallëzim ushtarak shihet si një sinjal pozitiv për vazhdimin e dialogut.
Situata mbetet ende e brishtë, por zhvillimet e fundit po interpretohen si një hap i mundshëm drejt rifillimit të negociatave mes dy palëve.


