Vlorë/ Identifikohen dy të dyshuarit për vrasjen e 63-vjeçarit, policia në kërkim të tyre

Policia e Vlorës ka bërë të ditur identifikimin e dy personave që dyshohet se kanë dhunuar për vdekje Ismail Aliajn, 63 vjeç, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Ngjarja ndodhi pasdite në zonën e njohur si “Rruga e Çipave”.
Burime zyrtare bëjnë me dije se viktima është goditur me grushte nga dy personat tashmë të identifikuar nga policia.
Pas plagëve të marra, 63-vjeçari humbi ndjenjat dhe u transportua menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku më pas ndërroi jetë.
Grupi hetimor ndodhet ende në vendngjarje dhe po vijon punën intensive për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa autoritetet po punojnë për kapjen e të dyshuarve.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe policia bën apel për çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e saj.


