Sulm me armë ndaj një sinagoge pranë Detroit-it, policia vret agresorin

Një incident i rëndë ka ndodhur këtë të enjte, në sinagogën Temple Israel, rreth 25 milje në veriperëndim të Detroitit, ku një person i dyshuar goditi me makinë ndërtesën dhe u përball me forcat e sigurisë. Autoritetet konfirmuan se i dyshuari mbeti i vdekur pas shkëmbimit të zjarrit mes forcat e policisë, ndërsa nuk ka raportime për të lënduar të tjerë.
Sherifi i Qarkut Oakland, Michael Bouchard, tha se falë masave të sigurisë, nxënësit dhe stafi i shkollës brenda kompleksit u evakuuan në mënyrë të sigurt.
“Sinagoga ishte e përgatitur dhe siguria reagoi menjëherë duke neutralizuar kërcënimin,” u shpreh ai, cipas CNN.
Agjentë të FBI-së dhe ATF-së ndodhen në vendngjarje. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, konfirmoi se incidenti po trajtohet si një situatë e mundshme “sulm me automjet dhe armë zjarri”.
Sipas burimeve, i dyshuari kishte me vete një pushkë dhe pasi goditi ndërtesën me automjet, u përball me rojet e sinagogës që hapën zjarr ndaj tij.
Presidenti Donald Trump është informuar mbi ngjarjen, sipas deklaratës së zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Ky incident vjen në një kohë kur antisemitizmi është në rritje globale, veçanërisht në sfondin e konflikteve në Lindjen e Mesme. Organizata Anti-Defamation League ka paralajmëruar për shtim të sulmeve ndaj komuniteteve hebraike, ndërsa institucionet fetare dhe shkollat hebraike në SHBA kanë forcuar ndjeshëm masat e sigurisë.
Sherifi Bouchard njoftoi se do të ketë praninë e shtuar të forcave të sigurisë në të gjitha institucionet hebraike në zonën e West Bloomfield, ndërsa policia e shtetit të Michigan-it ka rritur patrullimet edhe në vendet e tjera të kultit./CNN


