Bazilika thyen rekordin e lartësisë/ Sagrada Familia në Barcelonë, kisha më e lartë në botë

Bazilika e famshme Sagrada Família në Barcelonë është shpallur zyrtarisht kisha më e lartë në botë, pasi punëtorët vendosën pjesën e parë të kryqit në majë të kullës qendrore të saj. Pas këtij momenti historik, ndërtesa tashmë arrin 162.91 metra lartësi, duke kaluar rekordin që prej vitit 1890 e mbante Ulm Minster në Gjermani.
E projektuar nga arkitekti i njohur Antoni Gaudí, bazilika është në ndërtim prej më shumë se një shekulli në qendër të Barcelonës dhe pritet që pjesa kryesore të përfundojë vitin e ardhshëm. Kulla qendrore, e njohur si Kulla e Jezu Krishtit, do të arrijë lartësinë përfundimtare prej 172 metrash pasi të përfundojë vendosja e plotë e kryqit në muajt e ardhshëm.
Guri i parë i Sagrada Famílias u vendos në vitin 1882, ndërsa një vit më vonë projekti iu besua Gaudít, i cili e transformoi konceptin fillestar në një vizion shumë më madhështor. Ndërtimi u financua fillimisht nga donacione të besimtarëve.
Në momentin e vdekjes së papritur të Gaudít në vitin 1926, ishte ndërtuar vetëm një nga 18 kullat e planifikuara. Pas tij, punimet u morën nën kujdesin e Fondacionit Sagrada Família, që vijon ta financojë projektin përmes kontributeve të vizitorëve, turistëve dhe donatorëve privatë.
Për gati 150 vjet, ndërtimi është përballur me shumë pengesa. Gjatë Luftës Civile Spanjolle, anarkistët katalanas i vunë zjarrin kriptës, duke shkatërruar planet dhe modelet prej allçie të krijuara nga Gaudí. Së fundmi, pandemia e Covid-19 ndaloi përkohësisht punimet, për shkak të mungesës së turistëve dhe rënies së fondeve.
Në shtator të këtij viti, drejtori i përgjithshëm i Fondacionit, Xavier Martínez, deklaroi për Associated Press se Kulla e Jezu Krishtit do të përfundojë në vitin 2026, në përkujtim të 100-vjetorit të vdekjes së Gaudít.
Në kuadër të këtij përvjetori, fondacioni do të organizojë një sërë aktivitetesh për nder të arkitektit, i cili është varrosur në kriptën e kishës. Ndërkohë, puna për detajet dekorative, skulpturat dhe shkallët kryesore hyrëse pritet të vazhdojë gjatë dekadës së ardhshme.
							                       
							                       
							                       
							                       
							                       

