Nuk mori mandat deputeti nga lista e hapur në Tiranë, ja posti që i jep Rama ish-ministres së Drejtësisë, Etlinda Gjonaj

Ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj do të emërohet këshilltare juridike e kryeministrit Edi Rama.
Mësohet se Gjonaj do të shërbejë edhe si urë lidhëse për nismat ligjore mes qeverisë dhe Kuvendit.
Ky emërim vjen në një moment kur qeveria po përgatit një sërë ndryshimesh në fushën e drejtësisë, administratës publike dhe digjitalizimit të shërbimeve, fusha me të cilat Gjonaj është e njohur për eksperiencën e saj profesionale.
Etilda Gjonaj ka drejtuar Ministrinë e Drejtësisë në periudhën 2017–2021, gjatë mandatit të dytë të qeverisë Rama, duke qenë një nga figurat që mbështeti dhe ndoqi nga afër zbatimin e reformës në drejtësi.
Pas largimit nga qeveria, ajo ka vijuar të angazhohet në aktivitete akademike dhe profesionale në fushën e së drejtës dhe administrimit publik, ku në zgjedhjet e fundit udhëhoqi zgjedhjet në njësinë shtatë të kryeqytetit.
Me rikthimin e saj pranë Kryeministrit, Gjonaj pritet të luajë një rol të rëndësishëm në rishikimin e kornizës ligjore që lidhet me proceset reformuese të qeverisë dhe komunikimin institucional me Kuvendin e Shqipërisë.
Kujtojmë se Gjonaj nuk arriti të merrte mandatin e deputetit nga lista e hapur ë Tiranë në zgjedhjet parlamentare.


