BE paralajmëron për “krim lufte” pas deklaratave të Trump për Iranin

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka ngritur alarmin për një përshkallëzim të mundshëm të rrezikshëm në Lindjen e Mesme, duke theksuar se çdo sulm ndaj infrastrukturës energjetike përbën shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar.
Reagimi i tij vjen pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili la të kuptohej se mund të goditen objektet strategjike iraniane nëse nuk garantohet liria e lundrimit në Ngushtica e Hormuzit.
Costa theksoi se objektivat civile, përfshirë termocentralet dhe infrastrukturën energjetike, nuk duhet të bëhen kurrë pjesë e operacioneve ushtarake, pasi pasojat do të binin drejtpërdrejt mbi popullsinë civile.
Ai shtoi se çdo zgjerim i konfliktit do të rëndonte më tej situatën humanitare në rajon.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se çdo veprim ushtarak do të respektojë standardet ndërkombëtare, megjithatë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare paralajmërojnë se goditjet ndaj infrastrukturës civile mund të interpretohen si krime lufte.
Bashkimi Evropian ka kërkuar gjithashtu që Irani të ndalë sulmet ndaj vendeve të Gjirit dhe të garantojë lirinë e plotë të lundrimit në një nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë globale të naftës.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog për të shmangur një konflikt të gjerë në rajon.


