Biseda telefonike me Putin, Macron: Rusia dhe Ukraina janë ende larg armëpushimit

Bota

Biseda telefonike me Putin, Macron: Rusia dhe Ukraina janë ende larg

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se nuk ka pasur asnjë përparim thelbësor në bisedimet me Rusinë për gjetjen e një zgjidhjeje në konfliktin në Ukrainë. Komentet e tij erdhën pas një bisede telefonike të fundit me presidentin rus, Vladimir Putin.

Në një intervistë për televizionin francez BFMTV, Macron theksoi se dallimet mes Parisit dhe Moskës mbeten të pakalueshme.

“Nuk mund të them se ka pasur ndonjë përparim në bisedime, pasi më parë është e domosdoshme të arrihet një marrëveshje për armëpushim dhe të rinisin negociatat,” u shpreh ai, duke theksuar se “armëpushimi duhet të hapë rrugën për paqen.”

Macron u ndal edhe te një tjetër arsye pse vijon të mbajë komunikim të hapur me Putinin, nevoja për të ruajtur Regjimin e Mos-Përhapjes së Armëve Bërthamore. “E thirra (Putinin) kryesisht për të diskutuar çështjen iraniane dhe rëndësinë e ruajtjes së Traktatit për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore. Ai shprehu gatishmërinë për të ndihmuar,” tha presidenti francez.

Ai shtoi se kjo dakordësi ishte shumë e rëndësishme, pasi edhe Franca ka përgjegjësi për garantimin e stabilitetit global, duke konfirmuar se Parisi dhe Moska vijojnë të mbajnë kanale komunikimi të hapura, të paktën për çështjen e Iranit.

ME TE LEXUARAT