Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, Pentagoni dërgon 5 mijë marinsa në Lindjen e mesme

Pentagoni po dërgon më shumë marinsa dhe anije luftarake në Lindjen e Mesme, pas shtimit të sulmeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit. Lajmin e raporton Uoll Street Journal, duke cituar tre zyrtarë amerikanë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka miratuar një kërkesë nga Shtabi Qëndror amerikan, përgjegjës për forcat amerikane në Lindjen e Mesme, për të dërguar një grup të quajtur “amfib” të gatshëm për veprim dhe një njësi ekspeditare të marinsave të lidhur me të.
Sipas zyrtarëve, kjo njësi zakonisht përbëhet nga disa anije luftarake dhe rreth 5.000 marinsa. Anija luftarake USS Tripoli, e vendosur në Japoni, dhe marinsat që i janë caktuar asaj, janë nisur drejt Lindjes së Mesme, thanë dy nga zyrtarët.
Ata shtuan se marinsat janë tashmë të pranishëm në rajon për të mbështetur operacionin kundër Iranit. Sipas ABC Neës, që citon dy burime zyrtare amerikane, një njësi e marinsave amerikanë e vendosur në tre anije sulmi amfib është dërguar tashmë në Lindjen e Mesme. ABC konfirmon se kjo njësi, e cila ndodhej në Japoni, është transferuar në rajon në kuadër të luftës me Iranin./Shqiptarja


