Britania po zhvillon një raketë balistike për Ukrainën, e cila do të godasë thellë në Rusi

Bota

Britania po zhvillon një raketë balistike për Ukrainën, e

Qeveria britanike njoftoi të dielën se do të zhvillojë një raketë balistike të re me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën, me synimin për të forcuar kapacitetet e saj ushtarake përballë Rusisë.

Në kuadër të programit të quajtur “Nightfall”, Londra ka shpallur një tender për zhvillimin e shpejtë të raketave tokë–tokë, të afta të mbajnë një koka luftarake prej rreth 200 kilogramësh dhe të godasin objektiva në distanca mbi 500 kilometra.

Njoftimi vjen pak ditë pas vizitës së ministrit britanik të Mbrojtjes, John Healey, në Ukrainë, e cila përkoi me një sulm masiv rus me raketa dhe dronë ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera më 8–9 janar. Gjatë këtij sulmi, Rusia lëshoi një raketë balistike të tipit Oreshnik drejt Ukrainës perëndimore, vetëm 60 kilometra nga kufiri me Poloninë.

Sulmi në rajonin e Lvivit ndodhi pikërisht në momentin kur Healey po udhëtonte drejt Kievit.

“Ishim mjaft afër për të dëgjuar sirenat e alarmit ajror rreth Lvivit gjatë rrugës sonë. Ishte një moment serioz dhe një kujtesë e ashpër e stuhisë së dronëve dhe raketave që po godet ukrainasit në kushte të ftohti ekstrem”, deklaroi Healey.

“Ne nuk do ta tolerojmë këtë. Prandaj jemi të vendosur t’u japim ukrainasve armë të teknologjisë së avancuar ndërsa vazhdojnë të luftojnë”, shtoi ai.

Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, raketat Nightfall do të kenë një rreze veprimi mbi 500 kilometra dhe janë projektuar për t’u lëshuar në seri, përpara se të tërhiqen me shpejtësi, duke i dhënë Ukrainës mundësinë të godasë objektiva me vlerë të lartë para se forcat ruse të reagojnë.

Prodhimi parashikohet të arrijë deri në 10 raketa në muaj, me një kosto maksimale prej 1,07 milionë dollarësh për njësi.

Programi Project Nightfall parashikon përzgjedhjen e tre grupeve industriale, të cilat do të marrin kontrata zhvillimi me vlerë 12 milionë dollarë për ndërtimin e tre raketave të para testuese brenda një viti. Aplikimet do të pranohen deri në fillim të shkurtit, ndërsa kontratat pritet të jepen në mars 2026.

“Një Evropë e sigurt kërkon një Ukrainë të fortë. Këto raketa të reja britanike me rreze të gjatë do ta mbajnë Ukrainën në luftë dhe do t’i japin presidentit rus Vladimir Putin edhe një arsye më shumë për t’u shqetësuar”, deklaroi zëvendësministri britanik për Prokurimet e Mbrojtjes, Luke Pollard./Panorama

ME TE LEXUARAT