Dështon ekzekutimi me injeksion për vrasësin e 3 personave, mjekët nuk i gjenin dot venën

Një ekzekutim me injeksion vdekjeprurës në Tennessee përfundoi në mënyrë dramatike, pasi autoritetet nuk arritën të realizonin procedurën ndaj Tony Carruthers, i dënuar për rrëmbimin dhe vrasjen e tre personave në vitin 1994.
Sipas avokatëve të tij, 57-vjeçari qëndroi për më shumë se një orë e gjysmë në shtratin e ekzekutimit, ndërsa personeli mjekësor tentonte vazhdimisht të gjente një venë për injektimin e serumit vdekjeprurës.
Avokatja Maria DeLiberato e përshkroi skenën si “tmerruese”, duke deklaruar se Carruthers u pa duke u tkurrur dhe rënkuar gjatë përpjekjeve të përsëritura për procedurën.
Pas dështimit të ekzekutimit, guvernatori i Tennessee, Bill Lee, vendosi shtyrjen me një vit të dënimit me vdekje.
Carruthers ishte dënuar në vitin 1996 për rrëmbimin dhe vrasjen e trafikantit të drogës Marcellos Anderson, nënës së tij Delois Anderson dhe Frederick Tucker, një ngjarje që sipas prokurorisë lidhej me kontrollin e trafikut të drogës në Memphis.
Megjithatë, rasti ka qenë prej vitesh objekt polemikash, pasi në vendin e krimit nuk u gjetën prova fizike që e lidhnin drejtpërdrejt me ngjarjen. Dënimi u mbështet kryesisht në dëshmi të disa të burgosurve, disa prej të cilëve më vonë tërhoqën deklaratat e tyre.
Në vitet që pasuan, Carruthers paraqiti një sërë apelimesh, ndërsa avokatët e tij ngritën shqetësime edhe për ilaçet e përdorura në procedurën e ekzekutimit, duke pretenduar se ato ishin të skaduara ose të vjetruara.
“Shteti po torturon një njeri. Sistemi ynë i drejtësisë nuk duhet të funksionojë në këtë mënyrë”, deklaroi avokatja Melanie Verdecia pas pezullimit të ekzekutimit.


