Sulme të përgjakshme në Nigeri/ Vriten 40 civilë, ushtria kundërpërgjigjet me sulme ajrore

Të paktën 40 persona kanë humbur jetën gjatë sulmeve të armatosura të regjistruara të dielën në veri të Nigerisë.
Sipas raporteve të sigurisë të përgatitura për Kombet e Bashkuara dhe të publikuara nga AFP, sulmi më i rëndë ndodhi në shtetin Zamfara.
Persona të armatosur ngritën pritë ndaj udhëtarëve në rrugën Magami-Dansadhu, në zonën e Gusau, ku mbetën të vrarë rreth 30 persona, mes tyre civilë, gjuetarë dhe një roje komunitare.
Disa persona të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa pas sulmit forcat e sigurisë ndërhynë dhe u përfshinë në shkëmbim zjarri me autorët e dyshuar. Sipas raportimeve, disa prej sulmuesve janë vrarë.
Një tjetër sulm u raportua po të dielën në shtetin Katsina, ku humbën jetën edhe 12 persona të tjerë në një zonë të goditur prej kohësh nga bandat e armatosura.
Veriu i Nigerisë përballet prej vitesh me pasiguri të lartë, për shkak të sulmeve, grabitjeve dhe rrëmbimeve për shpërblim nga grupet kriminale, ndërsa në disa rajone operojnë edhe grupe ekstremiste.
Presidenti Bola Tinubu ka shpallur më herët gjendje të jashtëzakonshme sigurie për shkak të përkeqësimit të situatës.
Ndërkohë, ushtria nigeriane bëri të ditur se gjatë operacioneve në Zamfara dhe shtetin Niger janë vrarë disa persona të dyshuar si pjesë e grupeve të armatosura.
Sipas ushtrisë, një sulm ajror eliminoi rreth 70 persona të dyshuar, megjithatë banorët lokalë kanë raportuar edhe viktima civile, përfshirë 13 persona në një fshat të zonës.


