“Meta ishte në top formë”, GJKKO ndau dosjen e Xhixhos dhe nënës së Kryemadhit, Monika: Çështje politike

Monika Kryemadhi ka reaguar pas përfundimit të seancës së sotme në GJKKO, ku u vendos ndarja e dosjes së Pirro Xhixhos dhe Fatime Kryemadhit.
Duke folur për mediat, Kryemadhi e cilësoi procesin si një çështje politike dhe tha se ajo dhe persona të tjerë po paguajnë pasojat e reformës në drejtësi.
“Ajo është një çështje politike, do një durim strategjik. Ne që jemi shkaktarët e reformës në drejtësi do të paguajmë faturat, i kemi paguar dhe po i paguajmë. Nuk kemi pse marrim më vete persona të tjerë,” u shpreh ajo.
Monika Kryemadhi komentoi edhe pretendimet për derdhje bankare dhe kreditë overdraft të nënës së saj, duke thënë se bëhet fjalë për një hetim të nisur vite më parë nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.
Sipas saj, nuk ka pasur shpenzime të pajustifikuara dhe se shumica e pagesave kanë qenë për operacione shëndetësore të saj dhe të vajzës.
“Nuk ka asnjë shpenzim të tepruar. Bëhet fjalë për operacionet shëndetësore të vajzës sime dhe mua,” tha ajo.
Kryemadhi foli edhe për ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta, duke komentuar paraqitjen e tij fizike gjatë seancës.
“Ilir Meta ishte në top formë sot. Herën e parë ia kishin dërguar kostumin në masë të madhe. Shenja me numrin 7 pas kafazit të xhamit, nuk e kam idenë, mund të jetë direktivë për partinë e tij,” përfundoi ajo.


