Rezervat e karburantit për avionët po mbarojnë, BE: Duhet të përgatitemi nëse kriza vazhdon...

Rezervat komerciale të karburantit për avionët po pakësohen për shkak të mbylljes së zgjatur të Ngushticës së Hormuzit.
Edhe pse tregu deri tani ka arritur të përballojë tensionin e furnizimit, Brukseli vlerëson se duhet të nisë përgatitjet për pasojat e mundshme nëse situata vazhdon përtej fundit të majit.
Përfundimet e task-forcave të ngritura pranë Komisionit Evropian rrisin nivelin e alarmit për sigurinë e fluturimeve në kontinent, ndërsa për momentin nuk ofrohen zgjidhje konkrete.
Grupet e punës
Të enjten, më 30 prill, u zhvilluan takimet e grupeve të koordinimit për naftën (Oil Coordination Group – OCG) dhe për sigurinë energjetike (Energy Union Task Force Security – EUTF Security), njofton Brukseli.
Në këto takime morën pjesë ekspertë nga Komisioni Evropian, industria, vendet e BE-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe NATO, për të diskutuar sigurinë e furnizimit me gaz dhe naftë në Evropë, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme po i afrohet javës së dhjetë.
Rezervat emergjente
Të dhënat e paraqitura nuk janë qetësuese. Aq sa u diskutua edhe mundësia e përdorimit të rezervave emergjente, “nëse është e nevojshme”, për t’iu përgjigjur situatave të mundshme kritike.
Megjithatë, ekspertët theksuan rëndësinë që këto masa të koordinohen në nivel evropian dhe të shoqërohen me politika të përshtatshme për uljen e kërkesës, në mënyrë që të jenë sa më efektive, thuhet në njoftim.
Lufta
Në vitin 2025, Evropa importoi nga Gjiri Persik rreth një të tretën e karburantit për avionë të përdorur nga kompanitë ajrore. Me luftën mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, kontinenti është përballur me mungesë prej qindra mijëra fuçish në ditë.
Së fundmi, është përpjekur të zbusë situatën duke rritur importet e karburantit nga SHBA dhe Nigeria, por pa arritur ta zgjidhë plotësisht krizën./CorrieredellaSera


