Tjetër goditje për fermerët! Skema e subvencioneve në rrezik për shkak të keqmenaxhimit

Aktualitet

Tjetër goditje për fermerët! Skema e subvencioneve në rrezik

Rrezikon të dështojë dhënia në kohë e subvencioneve të Skemës Kombëtare 2026 për shkak të keqmenaxhimit mes Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së.

Edhe pse skema është publikuar prej më shumë se një muaji në Fletoren Zyrtare dhe u prezantua nga ministri Andis Salla si një mbështetje e shtuar për fermerët, procesi vijon të mbetet i bllokuar dhe pa afate të qarta. Prej javësh Ministri Salla zhvillon takime promovuese, ndërkohë që ky i fundit ende nuk ka hartuar udhëzimin që përcakton kriteret e aplikimit.

“Në momentin që flasim kemi një VKM për vitin 2026, por nuk ka udhëzim të përbashkët të ministrive. Akoma nuk ka filluar de fakto zbatimi i skemave mbështetëse në ministri .Në fundi e çdo viti duhet të mendohet për skemat pasardhëse mbi bazën e analizave sektoriale, mbi bazën e analizave ekonomike që do të thotë analizohet kostoja e një produkti të caktuar dhe analizohet kërkesa oferta në treg e më pas vendoset se si do të bëhet ndërhyrja me subvencione”, u shpreh eksperti i bujqësisë Ndoc Fasllia.

Problemi thellohet edhe më tej për shkak të rolit të AZHBR sepse kjo e fundit nuk ka siguruar kontratën e mirëmbajtjes  të sistemit që menaxhon aplikimet e fermerëve, kjo kontratë u jep të drejtë fermerëve të aplikojnë në e-albania. Pa këtë hallkë, procesi mbetet i paralizuar.

Sipas burimeve nga Top Channel, aplikimet mund të shtyhen deri në gusht, një vonesë që godet drejtpërdrejt fermerin në kulmin e sezonit.

“Mendoj se vonesat në financim janë krejtësisht të pajustifikueshme dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në prodhimin vendas. Muaji prill-maj janë muajt më intensiv në bujqësi sa i përket kultivimin në fushë. E gjitha kjo ndikon që të rriten artificialisht kostot dhe prodhimi vendas bëhet më pak konkurrues”, u shpreh eksperti.

Mosdhënia ne kohë e fondit prej 25 milionë eurosh është goditje për blegtorinë dhe bujqësinë./TCH

ME TE LEXUARAT