Pas akuzave për abuzim seksual, drejtuesja shqiptare në bankën amerikane padit për shpifje ish-bankierin: Do të më shkatërrojë ...

Bota

Pas akuzave për abuzim seksual, drejtuesja shqiptare në bankën
Shqiptarja Lorna Hajdini, drejtoreshë ekzekutive në JPMorgan Chase, ka ngritur një padi për shpifje në Gjykatën Supreme të Nju Jorkut ndaj ish-bankierit Chirayu Rana, duke e akuzuar se ka fabrikuar pretendime të rënda për ta dëmtuar personalisht dhe profesionalisht.

Sipas padisë, Rana ka pretenduar se Hajdini e kishte droguar dhe detyruar në marrëdhënie seksuale jo konsensuale, duke ngritur edhe akuza për “skllavëri seksuale”. Në dokumentet gjyqësore, drejtuesja shqiptare i mohon kategorikisht të gjitha pretendimet dhe i cilëson ato si tërësisht të pavërteta.

Hajdini pretendon se ish-bankieri ka zhvilluar prej muajsh një fushatë shpifjesh ndaj saj, me synim dëmtimin e reputacionit dhe përfitimin e shumave të mëdha financiare përmes presionit publik dhe ligjor. Sipas padisë, akuzat i kanë shkaktuar dëme serioze personale dhe profesionale, ndërsa çështja ka tërhequr vëmendje edhe brenda JPMorgan Chase.

Banka amerikane ka dalë publikisht në mbështetje të drejtueses shqiptare, duke deklaruar se nuk beson në pretendimet e ngritura ndaj saj dhe se hetimet e brendshme nuk kanë gjetur prova që mbështesin akuzat e Ranës.

Nga ana tjetër, Rana kishte ngritur më herët një padi ndaj Hajdinit duke përdorur pseudonimin “John Doe”. Në atë çështje ai e akuzonte për abuzim seksual, kërcënime dhe sjellje raciste, duke pretenduar gjithashtu se ishte kërcënuar me ulje bonusi nëse nuk pranonte marrëdhënie seksuale.

Sipas mediave amerikane, JPMorgan kishte nisur një proces të brendshëm verifikimi për pretendimet, por Rana nuk kishte marrë pjesë plotësisht në hetim. Çështja pritet të vijojë në gjykatat e Nju Jorkut, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për dëmtim të qëllimshëm të reputacionit dhe tentativa për përfitim financiar.

ME TE LEXUARAT