Protesta të ashpra në Beograd, arrestime dhe dhunë! BBC: A do të lëkundet pushteti i Aleksandër Vuçiç?!

Bota

Protesta të ashpra në Beograd, arrestime dhe dhunë! BBC: A do

Ndërsa protestat kundër korrupsionit në Serbi hyjnë në muajin e nëntë, ato nuk tregojnë asnjë shenjë zbehjeje. Përkundrazi, po pësojnë ndryshime në drejtim, përbërje dhe strategji. Fundjavën e kaluar, rreth 140 mijë persona u mblodhën në sheshin Slavija të Beogradit, në kulmin e protestave. Studentët, të cilët i kishin udhëhequr protestat që prej nëntorit 2024, shpallën se nuk do të ishin më në krye të organizimit.

Ata kishin vendosur si afat fundjavën për të kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të reja, por meqenëse kjo nuk ndodhi, ata ftuan grupe të tjera qytetare të marrin përsipër drejtimin e lëvizjes.

Studentët u bënë thirrje qytetarëve që kundërshtojnë Presidentin Aleksandar Vuçiç dhe Partinë Progresive Serbe (SNS), në pushtet prej vitesh, të nisin një fushatë të mosbindjes civile.

Që prej asaj deklarate, qytete të shumta në Serbi kanë parë ngritjen e barrikadave dhe bllokadave rrugore, me qytetarë që përdorin kosha plehrash, karrige dhe mjete të tjera për të bllokuar rrugët kryesore në Beograd, Novi Sad, Nish dhe qytete të tjera. Iniciativa qytetare të njohura si “kuvendet e qytetarëve” janë përfshirë gjerësisht në organizim. Sapo policia ndërhyn dhe çmonton një bllokadë, një tjetër shfaqet në një pikë tjetër të qytetit.

Ndërhyrja e policisë ndez reagime

Gjatë ditëve të fundit janë arrestuar dhjetëra persona, ndërsa janë shfaqur ankesa për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë. Disa studentë përfunduan në spital. Njëri prej tyre me klavikulë të thyer, pasi forcat policore ndërhynë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit.

Policia arrestoi gjithashtu nxënës të shkollave të mesme, duke nxitur protesta nga prindërit para një stacioni policor në Beograd, derisa fëmijët u liruan. Kundërshtimet ndaj sjelljes së policisë janë të shumta. Përveç reagimeve të shoqatave të gazetarëve dhe Partisë së Qendrës në opozitë, kanë reaguar edhe Shoqata e Avokatëve dhe vetë Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, Grigorije Duriç. Bashkimi Evropian, nga ana e tij, dënoi “aktet e urrejtjes dhe dhunës” dhe bëri thirrje për përmbajtje.

Ndërkohë, në Beograd dhe qytete të tjera, bllokadat vazhdojnë bashkë me kaosin që shkaktojnë për udhëtarët dhe punonjësit. Një qytetare, ndërsa shprehte pakënaqësinë se ishte detyruar të ecte 5 kilometra për të shkuar dhe për t’u kthyer nga puna, përshkroi atmosferën si më shumë festive se sa protestuese.

Megjithatë, shumë analistë dyshojnë nëse kjo formë proteste do të jetë më efektive se muajt e mëparshëm të demonstratave, bllokimeve në universitete dhe grevave të përgjithshme me pjesëmarrje të ulët.

Katastrofa e Novi Sadit: Shkëndija që ndezi revoltën

Protestat nisën si reagim ndaj një tragjedie të ndodhur në nëntor 2024 në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, kur një tendë betoni në pjesën e saporinovuar të stacionit u shemb, duke vrarë 16 persona që ndodheshin poshtë saj. Zemërimi ndaj autoriteteve u përhap me shpejtësi, dhe një pjesë e madhe e pakënaqësisë u drejtua kundër Presidentit Vuçiç.

Ndërsa shumë serbë kanë qenë prej kohësh kritikë ndaj stilit autoritar të qeverisjes së tij që nga ardhja në pushtet në vitin 2012, të tjerë e kanë parë dominimin e tij mbi institucionet dhe mediat si një kompromis të pranueshëm në këmbim të rritjes ekonomike dhe përmirësimeve infrastrukturore.

Por tragjedia e stacionit i tronditi këto balanca.

Slogane si “Të gjithë jemi nën tendë”, “Gjaku është në duart tuaja” dhe “Korrupsioni vret” u panë në pankartat e para të protestës.

Studentët morën udhëheqjen e lëvizjes duke kërkuar transparencë të plotë për projektin e stacionit dhe ndjekje penale për përgjegjësit. Pas muajsh protestash, kryeministri Milos Vuçeviç dha dorëheqjen. Por ai u zëvendësua menjëherë nga një tjetër aleat i Vuçiçit, Djuro Macut pa sjellë ndonjë ndryshim të thellë.

Nuk shihet fundi i protestave

Pavarësisht mungesës së rezultateve konkrete, lëvizja protestuese ka mobilizuar qindra mijëra qytetarë dhe ka krijuar një ndjesi solidariteti të rrallë në shoqëri. Srdjan Milivojeviç, një prej figurave të opozitës nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, e krahasoi këtë moment me protestat e fillimviteve 2000 kundër regjimit të Slobodan Millosheviçit – lëvizje që përfundimisht solli rënien e tij dhe kthimin e demokracisë në Serbi.

Megjithatë, situata aktuale mbetet më e ndërlikuar. Presidenti Vuçiç dhe partia e tij ende ruajnë mbështetje të konsiderueshme dhe mbeten në pozita komode, me sondazhet që tregojnë se SNS është ende forca më e fuqishme politike.

Pas tubimit të fundit të madh, Vuçiç deklaroi se “Serbia fitoi” përballë asaj që e quajti “përpjekje për të përmbysur shtetin”.

Ndërkohë, qytetarët që vazhdojnë të bllokojnë rrugët shprehen ndryshe. Ata kërkojnë ndryshim përmes zgjedhjeve edhe pse nuk është aspak e qartë se kush do të jetë alternativa përballë SNS-së. Presidenti Vuçiç, ndërkohë, ka theksuar se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme para dhjetorit të vitit të ardhshëm.

Tashmë duket se gjithçka varet nga ajo se kush do të zmbrapset i pari. Dhe me temperaturat që po ngjiten mbi 40°C, kjo verë pritet të jetë e nxehtë në më shumë se një kuptim./BBC

 

 

ME TE LEXUARAT