Rusia provon raketën e re bërthamore, 3 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet e fundit me dron në Kiev

Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e saj të 1,341-të, dhe nata e fundit ka qenë një nga më të përgjakshmet e javëve të fundit.
Një sulm masiv me dronë rusë ndaj Kievit ka shkaktuar të paktën tre viktima dhe 29 të plagosur, mes tyre gjashtë fëmijë, sipas autoriteteve ukrainase.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka reaguar menjëherë, duke përsëritur thirrjen për më shumë sisteme mbrojtëse Patriot.
“Ne po i kushtojmë vëmendje të veçantë sistemeve Patriot, në mënyrë që të mbrojmë qytetet tona nga ky ferr. Amerika, Evropa dhe vendet e G7 mund të ndihmojnë që sulme të tilla të mos jenë më një kërcënim”, deklaroi Zelensky.
Ndërkohë, në anën tjetër të frontit, Moska ka testuar me sukses një raketë të re me energji bërthamore, të quajtur “Burevestnik”, për të cilën Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh se “nuk ka të barabartë në botë”.
Sipas Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, Valery Gerasimov, testi u zhvillua më 21 tetor dhe raketa qëndroi në fluturim për rreth 15 orë, duke përshkuar 14,000 kilometra.
“Gjatë fluturimit u kryen të gjitha manovrat vertikale dhe horizontale, duke demonstruar aftësinë për të shmangur çdo sistem anti-raketor dhe mbrojtjeje ajrore”, tha Gerasimov në raportin e tij drejtuar Putin.
Putin, gjatë një vizite në postin komandues të forcave të përbashkëta, theksoi se raketa përfaqëson një arritje unike në fushën e mbrojtjes:
“Ky është një produkt unik, ndryshe nga çdo tjetër në botë. Nuk ka të barabartë”, u shpreh ai, sipas agjencisë shtetërore TASS.
Në anën diplomatike, Kirill Dmitriev, i dërguari special i Putin për bashkëpunim ekonomik, deklaroi për “CNN” se Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina janë “mjaft afër një zgjidhjeje diplomatike” që mund t’i japë fund luftës, megjithëse detajet e bisedimeve mbeten të paqarta.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump, duke komentuar situatën, u shpreh se “pa një marrëveshje të qartë, nuk do të humbë kohë me Putinin”, duke lënë të kuptohet se një marrëveshje paqeje do të ishte parakusht për çdo komunikim të ardhshëm mes tyre.
Sulmet e fundit ndaj Ukrainës dhe testimet e reja bërthamore të Moskës kanë rritur ndjeshëm tensionet globale, ndërsa komuniteti ndërkombëtar pret me ankth çdo zhvillim që mund të ndikojë në ecurinë e luftës dhe paqes në rajon.


