SHBA dërgon aeroplanmbajtësen e dytë në Detin Arabik, Irani dhe Rusia zhvillojnë stërvitje të përbashkëta detare

Bota

SHBA dërgon aeroplanmbajtësen e dytë në Detin Arabik, Irani

Irani dhe Rusia kanë nisur stërvitje të përbashkëta detare në ujërat jugore të Iranit më 19 shkurt, derisa Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë ta zgjerojnë praninë e tyre ushtarake në Detin Arabik.

Stërvitjet po zhvillohen kryesisht në Ngushticën e Hormuzit, në Gjirin e Omanit dhe në pjesën veriore të Oqeanit Indian.

Të njohura si “Brezi i Sigurisë Detare”, këto ushtrime vjetore mbahen që nga viti 2019 dhe zakonisht kanë përfshirë edhe Kinën, megjithëse Pekini nuk duket të jetë i përfshirë në stërvitjet e tanishme.


Admirali i marinës iraniane, Hassan Maqsudlu, u tha gazetarëve se një nga qëllimet e stërvitjeve është “parandalimi i çdo veprimi të njëanshëm në rajon”, me gjasë duket duke iu referuar rritjes së pranisë ushtarake amerikane.

Stërvitjet e përbashkëta Iran-Rusi
Sipas mediave iraniane, marinat e Iranit dhe Rusisë zhvilluan ushtrime të vëzhgimit ajror dhe praktikuan formacione taktike si dhe manovrime në kuadër të stërvitjes.


Ushtrimet përfshinë gjithashtu skenarë të formacioneve ofensive, me qëllim përmirësimin e koordinimit taktik, forcimin e komandës dhe kontrollit të përbashkët, si dhe simulimin e reagimit të shpejtë në kushte operacionale, ku njësitë praktikuan teknika të kombinuara dislokimi dhe manovrimi.

Forcat pjesëmarrëse përfshinin njësi nga marina iraniane dhe marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) – si anije luftarake, anije me raketa, helikopterë, ekipe të operacioneve speciale dhe mjete të shpejta sulmuese – së bashku me korvetën ruse Stoikiy dhe avionë luftarakë të Forcave Ajrore Iraniane.

IRGC-ja, e cila i zhvilloi stërvitjet e veta detare në Ngushticën e Hormuzit më 16–17 shkurt, pritet të shpallet zyrtarisht organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian këtë javë.

Vendimi për ta futur IRGC-në në listën e zezë u mor muajin e kaluar.

Nga pala ruse, duket se vetëm një anije luftarake mori pjesë në stërvitje.

Duke e theksuar praninë e kufizuar të Rusisë, ish-oficeri i marinës iraniane, Mohammad Parsi, i përshkroi stërvitjet si “të vogla dhe simbolike”.

“Nuk mund ta paramendoj Rusinë duke ofruar mbështetje reale në një përballje të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara”, i tha ai Radios Farda, duke shtuar se Moska ka gjasa ta përdorë Teheranin si “mjet presioni” në përballjen e saj më të gjerë me Perëndimin, në vend që të angazhohet për mbrojtje të ndërsjellë

ME TE LEXUARAT