Temperatura mbi 43 gradë! Policia shpëton foshnjen "e harruar" në makinë

Pamje tronditëse nga Kalifornia kanë kapur momentin kur oficerët e policisë shpëtuan një foshnjë të lënë vetëm brenda një makine të mbinxehur.
Ngjarja ndodhi më 17 qershor në qytetin Corona, kur policia u njoftua për një foshnjë të braktisur në një automjet me motorin e fikur dhe dritaret e mbyllura. Kur mbërritën në vendngjarje, oficerët e gjetën foshnjën në sediljen e pasme, në një gjendje të rrezikshme.
Policia përdori një levë për të thyer xhamin e shoferit dhe hapi derën për të nxjerrë fëmijën. Temperatura brenda automjetit kishte arritur në 43°C. Pas shpëtimit, oficerët nxituan ta freskonin dhe qetësonin foshnjën duke e mbajtur në krahë dhe përkëdhelur shpinën.
Identiteti i prindërve nuk është bërë i ditur dhe mbetet e paqartë se sa kohë foshnja qëndroi vetëm në makinë. Nuk është dhënë asnjë informacion në lidhje me përgjegjësinë ligjore.
Departamenti i Policisë së Coronës publikoi pamjet për të paralajmëruar qytetarët mbi rreziqet e lënies së fëmijëve në automjet, sidomos gjatë temperaturave të larta.
Falë reagimit të menjëhershëm të policisë, foshnja i mbijetoi ngjarjes.