U nis me jahtin e tij nga Turqia në Mykonos, zhduket biznesmeni i njohur! Jahti i tij gjendet i dëmtuar dhe gjysmë i mbytur
Autoritetet turke janë vënë në alarm pas zhdukjes misterioze të biznesmenit të njohur turk, Halit Yukay, 43 vjeç, themelues i kompanisë Mazu Yachts, i cili është shpallur i humbur që nga mbrëmja e së shtunës.
Yukay u nis me jahtin e tij luksoz “Graywolf” nga Turqia, me destinacion ishullin grek të Mykonosit, por kontaktet me të humbën menjëherë pas nisjes. Roja bregdetare turke gjeti jahtin të dëmtuar rëndë dhe gjysmë të mbytur në ujërat pranë ishullit Prokonnisos në Detin e Marmaras.
Familjarët dhanë alarmin, ndërsa autoritetet nisën kërkimet intensive që përfshijnë zhytës profesionistë, mjete lundruese dhe helikopterë. Megjithatë, deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e biznesmenit.
Halit Yukay ka nisur karrierën nga puna në kantierë detare dhe në vitin 2011 krijoi kompaninë Mazu Yachts, e njohur për jahte luksoze dhe teknologji moderne në ndërtimin e tyre.
Hetimet dhe kërkimet për gjetjen e tij vijojnë intensivisht nga autoritetet turke dhe greke.