Kim Mehmeti: Sikur piktori ta ndihmonte Kosovën aq sa e mbështeti Beogradin, shqiptarët do të ishin sot më të fortë!

Nga Kim Mehmeti
Sikur Piktori t’i kishte përkrahur të akuzuarit e UÇK’së në Hagë aq sa e ndihmoi Vuçiçin që t’i pastrojë duart e përgjakura, ata ndoshta edhe nuk do të dënoheshin fare.
Sikur Piktori t’i ishte përkushtuar konsolidimit të Kosovës aq sa realizimit të projektit serbo-rus të quajtur ‘Ballkani i Hapur’, nuk do të ndodhte ky defaktorizim i shqiptarëve në Ballkan.
Sikur Piktori ta ndiente më të afërt Prishtinën sesa Beogradin, nuk do të ndodhte që Kuvendi i mëmëdheut të mos miratonte rezolutë kundër gjenocidit serb në Kosovë.
Dhe shumëçka do të ishte ndryshe, shumëçka do të na bënte më të fortë, sikur kjo shqiptari të mos ishte në duart e njerëzve që e kriminalizuan mëmëdheun tonë dhe që e bënë atë kopsht të qarqeve cioniste e serbe.
Po, sikur ne ta kuptonim se askush nuk të çmon e nuk të do kur e sheh se ti nuk e çmon dhe nuk e do vetveten, atëherë, me kohë, do e shihnim se Piktori u shërbente qarqeve që ndienin fajësi pse e kishin bombarduar Serbinë dhe që bënin çmos që çlirimtarët tanë t’i barazonin me kriminelët serbë.
Dhe gjitha këto Piktorit ia mundësoi mungesa e elitave të dinjitetshme e të guximshme, të cilat do të kërkonin që me Kushtetutë, t’i ndalohej atij dhe ‘Aleancës së Qelbësirave’ ta përfaqësojnë shqiptarinë, si dhe, me ligj, t’u ndalohej paraqitja publike ‘mendimtarëve’ e ‘publicistëve’ që të vrasin me fjalë përderisa je gjall dhe bëhen vajtojca të neveritshme kur përfundon në varr!
Elita që do e ndihmonin këtë popull ta shihte me kohë se edhe miqtë tanë perëndimorë nisën të largohen nga ne kur e panë sa pak e duam njëri-tjetrin; kur e panë sa lirë e shesim tokën e të parëve; sa pamëshirshëm i rrënojmë gjurmët e së shkuarës; si u lejojmë ‘Lëvizjeve të Deçanit’ të na shpërfaqin si kokëtula që nuk e dinë se nuk ka fe që e dobëson apo e forcon shqiptarinë, por ka shqiptarë të pafe, shqiptarë të paguar që t’i luten Zotit, e t’i shërbejnë djallit!


