Pas kthimit nga Pekini, SHPËRTHEN Vuçiç: Aleancat ballkanike kanë objektiv Serbinë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, në intervistën e parë televizive pas kthimit nga Kina, ku mori pjesë në paradën ushtarake përkrah Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Kim Jong Un, ka folur me shqetësim për një aleancë të re ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilën e sheh si të drejtuar kundër Serbisë.
“Kur bën një aleancë me kroatët, është e qartë kundër kujt po e bën atë. Ata presin që Bullgaria t’u bashkohet. Aleanca të tilla u bënë edhe para luftës së madhe, dhe ishin më të suksesshme sepse kishin mbështetje të jashtme dhe në fund fituan,” tha Vuçiç për televizionin Pink.
Sipas tij, ky “bosht” ka një mbështetje të fortë nga NATO, ndërsa përmendi se edhe Sllovenia e ka konfirmuar hapur ekzistencën e formimeve të tilla kundër Serbisë.
Vuçiç kujtoi periudhën e viteve ’90, duke theksuar se qëllimi i aleancave të tilla është dëbimi i serbëve nga Kosova, Bosnja dhe Kroacia, ndërsa paralajmëroi se Serbia është sot shumë më e përgatitur ushtarakisht.
Ai tha gjithashtu se në paradën e madhe ushtarake që do të mbahet më 20 shtator në Beograd, publiku do të shohë një transformim të madh të forcave serbe:
“Ne jemi një pengesë e fortë dhe askush nuk mund të na sulmojë. Serbia është gati të mbrojë vendin, por nuk dëshiron luftëra dhe konflikte.”